Vazhdojnë protesta për Zvërnecin, qytetarët protestojnë para Kryeministrisë

Ish-ministri i PS-së mbështet protestuesit: Nuk janë të nxitur nga Irani por të revoltuar për gjendjen në vend

Ditmir Bushati është një tjetër figurë nga radhët e PS që ka dalë në mbështetje të protestave në Tiranë.

Ish-ministri i Jashtëm ka postuar këtë të diel foto nga protesta e ditës së 21-të, ndërsa shkruan se qytetarët nuk janë të nxitur nga faktorë të jashtëm, por janë shqiptarë të revoltuar për gjendjen në vend.

“Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë. Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar. Janë qytetarë që besojnë se Shqipëria meriton më shumë: më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë”, shkruan ai.Sipas Bushatit, çdo ditë që kalon e forcon bindjen se “Shqipëria e Re” nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm.

“Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi”, përfundon reagimi i tij, raporton Euronews.al

Të shtunën, më 20.06.2026, është protestuar për të 21-tën herë në Tiranë, në atë që tashmë quhet “Revolucioni i Flamengove”.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që bëhen thirrje që ai dhe lideri i PD-së, Sali Berisha, të përfundojnë në burg.

Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të sotme të Ramës, duke thënë se kreu i qeverisë e ka përjetuar protestën e fundit si një “Vaterlo personale”.

Përmes një videomesazhi, Berisha u shpreh se protesta e qytetarëve, rinisë dhe diasporës përbën një moment historik, ndërsa sipas tij Rama e ka përjetuar atë si një disfatë të rëndë politike dhe i kërkoi kreut të qeverisë të largohet sa më parë.

“Largohu sa më parë nga detyra dhe prit verdiktin e drejtësisë, e cila vonon, por nuk harron”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë përdori si metaforë personazhin Fabrice del Dongo nga romani i Stendalit, për të folur mbi rrezikun e krijimit të bindjeve mbi iluzione dhe informacione të paverifikuara.

Sipas kreut të qeverisë, edhe në ditët e sotme ekziston rreziku që njerëzit të bëhen “peng i iluzioneve” të krijuara nga informacione të pjesshme, rrjetet sociale dhe algoritmet, duke besuar se po mbrojnë një kauzë të drejtë pa njohur të gjitha faktet.

Rama theksoi se debati për projektin duhet të zhvillohet mbi informacion të verifikuar dhe jo mbi perceptime, duke shtuar se projekti është ende në fazë përgatitore dhe se diskutimi duhet të fokusohet te përmirësimi i tij, jo te kundërshtimi paraprak.

Rama vazhdon të mbrojë projektin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës, përkundër protestave.

Zona ku kanë nisur punimet është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ajo konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata migratorë, përfshirë flamingot.

Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump.

Në mars të vitit 2024, Kushner deklaroi se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.