Netanyahu: Do të miratohet armëpushimi me Hezbollahun

BeH-ja notë proteste Izr@elit për mosvendosjen e flamurit shtetëror gjatë vizitës së anëtares së presidencës Cvijanoviq

Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës (BeH) i ka dërguar një notë zyrtare proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, duke shprehur shqetësim të thellë dhe protestë të ashpër për parregullsitë serioze protokollare të regjistruara gjatë vizitës zyrtare të anëtares së Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq, në Izrael më 22 qershor të këtij viti, transmeton Anadolu.

Ministria bëri të ditur se aranzhimet zyrtare protokollare në Izrael, gjatë takimeve të Cvijanoviqit me zyrtarë të lartë izraelitë, kanë shkelur standardet e praktikës ndërkombëtare.

Siç theksohet në notë, nuk është siguruar paraqitja e duhur e simboleve shtetërore dhe në vend të flamurit zyrtar të BeH-së është vendosur “flamuri që përfaqëson njërin nga entitetet e BeH-së në një mënyrë që sugjeron përfaqësim zyrtar”.

Ministria e vlerësoi këtë veprim si të papajtueshëm me protokollin diplomatik të përcaktuar dhe praktikën ndërkombëtare.

Në dokument theksohet veçanërisht edhe konteksti politik i vetë vizitës, ku kritikohet hapur veprimtaria e anëtares së Presidencës së BeH-së.

Ministria e Punëve të Jashtme vëren se Cvijanoviq është e lidhur me një parti politike që “promovon vazhdimisht narrativa separatiste brenda BeH-së”, duke kontribuuar drejtpërdrejt në një mjedis politik të paqëndrueshëm dhe duke marrë pjesë në aktivitete që “rrezikojnë destabilizimin shoqëror dhe të sigurisë si brenda vendit, ashtu edhe në rajonin më të gjerë”.

Duke marrë parasysh seriozitetin e incidentit, Sarajeva zyrtare deklaroi se ky rast përbën një “shkelje serioze të standardeve të protokollit diplomatik ndërkombëtar dhe një dështim për të treguar respektin e duhur ndaj sovranitetit, rendit kushtetues dhe simboleve ndërkombëtarisht të njohura të BeH-së”.

Gjithashtu theksohet se një gabim i tillë nuk pasqyron nivelin real të respektit të ndërsjellë që duhet të karakterizojë marrëdhëniet mes dy shteteve.

Në fund të notës diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme e BeH-së kërkon reagim urgjent dhe sqarim lidhur me rrethanat që çuan në këtë lëshim protokollar nga autoritetet kompetente të Izraelit.