Kremtimi i 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës ka shërbyer si një moment për Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, për të përcjellë një qëndrim edhe mbi zhvillimet e fundit në vend. Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet jubilar, kreu i shtetit shprehu një qëndrim lidhur me protestat.
“Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit,” deklaroi Presidenti Begaj, duke theksuar se ky aktivitet po zhvillohet pikërisht në një moment kur qytetarët po shprehin publikisht dhe në mënyrë paqësore shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre.
Sipas kreut të shtetit, raporti i ndërsjellë midis angazhimit qytetar dhe përgjegjësisë së institucioneve publike mbetet çelësi për konsolidimin e sistemit demokratik në Shqipëri.
“Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë”, u shpreh më tej presidenti.
Presidenti i Republikës theksoi se “si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit“.



Të tjera
Kur prekni këto objekte të përditshme lani duart
Dënimi duhet ta bëjë fëmijën të mendojë dhe jo të ndihet i keq
Zvicra mposht Kanadanë, siguron vendin e parë në grupin B