Ballkani në alarm ndërsa Evropa përfshihet nga nxehtësia rekord

Ballkani në alarm ndërsa Evropa përfshihet nga nxehtësia rekord

Një valë rekord e të nxehtit ka përfshirë Evropën, ndërsa vendet e Ballkanit kanë mbetur në gatishmëri të hënën për shkak të temperaturave përvëluese, paralajmërimeve shëndetësore dhe rrezikut të shtuar nga zjarret, raportoi AFP.

Edhe pse në disa pjesë të Evropës Perëndimore temperaturat kanë filluar të bien, parashikimet tregojnë se në lindje të kontinentit nxehtësia do të rikthehet dhe do të intensifikohet sërish gjatë së hënës.

Në Kroaci, ashtu si në pjesën më të madhe të Ballkanit, autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për kushte të rrezikshme atmosferike.

Në Bosnje dhe Shqipëri, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Sipas analizës së AFP-së, të paktën 130 milionë njerëz në Evropë pritet të përballen sot me temperatura prej 35 gradë Celsius ose më shumë.

Kjo shifër është dukshëm më e lartë krahasuar me mesin e javës së kaluar, kur vala e të nxehtit arriti kulmin në Britani.

Ndërkohë, moti ekstrem nuk është kufizuar vetëm në nxehtësi. Në rajonin Alto Adige të Italisë, stuhi të forta kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje toke, ka raportuar Guardian.

Në pjesë të tjera të vendit, temperaturat e larta dhe lagështia ekstreme kanë vijuar edhe gjatë së hënës.