“Më duhet një avokat që të merret vetëm me çështjen time”, zbulohet letra e Metës për kujtim Cakranin: Motra ime do diskutojë me ju për detyrimet financiare

Me autorizim të Ilir Metës, Tedi Blushi ka bërë publike letrën që ish-presidenti i ka dërguar nga burgu avokatit të tij Kujtim Cakrani, ku e njoftonte se do të ndërprisnin bashkëpunimin.

Në letër Meta i sqaron se i duhet një avokat që merret vetëm me çështjen e tij, dhe se sa i takon detyrimeve financiare, do të komunikonte me motrën e tij.

“I nderuar z. Avokat, Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe me shpresën e mirëkuptimit tuaj, për shkak jo vetëm të angazhimeve tuaja të shumta dhe të shtuara ndërkohë që ngarkesa e çështjes time jo vetëm në themel, por edhe për Gj.E.D.NJ kërkon angazhim të përditësuar e të përhershëm, kam vendosur që të kem një avokat që të merret vetëm me çështjen time dhe që të jetë në dispozicionin tim tërë kohën.

Për punën që keni bërë deri tani kërkoj mirëkuptimin tuaj që t’ia dorëzoni z. Tedi Blushi. Ndërsa motra e ime është e autorizuar të diskutojë me ju për ekzekutimin e detyrimeve të mia financiare për mbrojtjen tuaj.

Për korrektesë dhe nisur nga urgjenca e marrjes së dokumentacionit procedural penal nga Gj.K.K.O për efekt të ndjekjes së çështjes time në Gj.E.D.NJ, jam i detyruar t’ju njoftoj për këtë ndryshim të mbrojtjes time edhe Gj.K.K.O. Me konsideratën time të veçantë, Ilir Meta”, shkruhet në letrën e firmosur prej Metës.

Një ditë më parë për mikrofonin e Top Channel Cakrani tha se me Metën janë ndarë në heshtje dhe ftohtë ndërsa dhe se i vetmi peng që i ngelet është se në këtë kohë që e ka mbrojtur ka bërë një punë të madhe për çështjen e tij, e se avokati tjetër që do ta pasojë, do ta gjejë punën e shtruar.