Përmbyset minibusi në autostradën Tiranë-Durrës, dy të vdekur dhe 15 persona të plagosur

Një aksident ndodhi këtë të martë në autostradën Tiranë-Durrës, ku një minibus me pasagjerë i linjës së Beratit ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ekipet e zjarrfikëses dhe autoambulancat, të cilat po punojnë për t’u dhënë ndihmën e parë të lënduarve dhe për nxjerrjen e pasagjerëve nga minibusi.

Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, deklaroi sot nga vendi i aksidentit se paraprakisht janë konfirmuar dy viktima dhe 15 persona të plagosur, pas daljes nga rruga të autobusit të linjës Berat–Tiranë.

Vatoci bëri të ditur se rreth orës 15:00 Policia mori njoftim për aksidentin e rëndë.

“Sot, rreth orës 15:00, është marrë njoftim për një ngjarje shumë të rëndë rrugore, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë dhe anasjelltas ka dalë nga rruga në vendin ku ndodhemi. Për arsye ende të paqarta deri në këto momente, paraprakisht konfirmohet se mjeti nuk ka pasur kontakt me ndonjë automjet tjetër, por rezulton se ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me trafikndarësen”, tha ai.

Sipas Vatocit, si pasojë e aksidentit janë konfirmuar dy viktima dhe 15 të plagosur.

“Njëri prej të dëmtuarve është në gjendje më të rëndë, ndërsa personat e tjerë janë në gjendje të stabilizuar dhe situata po ndiqet në vijimësi,” u shpreh ai.

Drejtori i Policisë Rrugore shtoi se mes të plagosurve ndodhet edhe një fëmijë, i cili është në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Ai theksoi se dyshimet paraprake janë se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi mjetin, pasi deri tani nuk rezulton të ketë pasur përplasje me automjete të tjera.

“Shkaqet e plota do të jenë objekt i veprimeve të mëtejshme hetimore,” tha Vatoci, duke shtuar se ende nuk ka informacion mbi gjendjen e drejtuesit të autobusit.

Në përfundim, ai u bëri apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë së Shtetit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.