Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i ka dorëzuar Kryetares së Kuvendit, njëherësh ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2025.
Dorëzimi i raportit është bërë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit, Ismaili e njoftoi Haxhiun me përmbajtjen kryesore të raportit, i cili paraqet aktivitetet, zhvillimet dhe rezultatet e BQK-së në përmbushje të mandatit të saj për ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e integritetit të sistemit financiar, mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e qëndrueshmërisë institucionale.
Sipas raportit, ekonomia e Kosovës dhe sistemi financiar kanë ruajtur stabilitetin gjatë vitit 2025, pavarësisht sfidave nga zhvillimet ekonomike dhe gjeopolitike në nivel ndërkombëtar. BQK vlerëson se sektori financiar ka vazhduar zgjerimin e qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar ka mbetur i mirëkapitalizuar, me nivel të lartë të likuiditetit dhe me cilësi të mirë të portofolit kreditor.
Raporti përfshin edhe reformat dhe iniciativat kryesore të realizuara gjatë vitit, përfshirë avancimin e kornizës makroprudenciale dhe mbikëqyrëse, harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian, zhvillimin e sistemit të pagesave dhe përgatitjet për integrimin e Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë avancuar përgatitjet për projektin e pagesave të menjëhershme përmes TIPS Clone, ndërsa janë forcuar mekanizmat për mbrojtjen e konsumatorëve, edukimin financiar dhe gjithëpërfshirjen financiare.
Në raport prezantohen edhe zhvillimet në fushën e inovacionit financiar, menaxhimit të parasë së gatshme, integritetit të valutës euro dhe formalizimit të ekonomisë. BQK thekson se gjatë vitit të kaluar ka zgjeruar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, ka rritur pjesëmarrjen në forume rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe ka avancuar menaxhimin e rezervave ndërkombëtare.
Raporti Vjetor përfshin edhe pasqyrat financiare të audituara të BQK-së për vitin 2025, të cilat kanë marrë opinion të pamodifikuar nga auditori i jashtëm.
Sipas BQK-së, institucioni ka realizuar rezultat financiar pozitiv prej 24 milionë eurosh. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kjo shumë do të ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet Buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rezervave të BQK-së.
Me këtë rast, guvernatori Ahmet Ismaili falënderoi Kuvendin dhe institucionet e tjera shtetërore për bashkëpunimin dhe mbështetjen në proceset reformuese dhe integruese, duke theksuar rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit dhe mbështetjes për hapat e ardhshëm të institucionit.




Të tjera
Nga 1 korriku, rregulla të reja për legalizimin e certifikatave të Kosovës në Gjermani
Ak*sidenti tragjik në autostradën Tiranë-Durrës: Njëri prej viktimave, shoferi i autobusit
Presidenti turk Erdogan pret shefen e politikës së jashtme të BE-së përpara Samitit të NATO-s në Ankara