Lidhja Demokratike e Kosovës, po përballet tash e disa ditë me sulme të vazhdueshme që po i vinë nga brenda, saktësisht nga degë të kësaj partie në disa komuna.
Pas kërkesave që i kanë ardhur nga dega e II-të e LDK-së në Prishtinë, dega në Pejë e Lipjan për dorëheqje, tani një debat i madh ka krisur edhe mes Shkëmb Manajt dhe kryetarit të degës së LDK-së në Deçan, Jeton Mushkolajt.
Manaj në një postim në Facebook, ka thënë se ndryshimet në LDK mund t’i bëj vetëm vullneti i anëtarësisë së saj, por sipas tij ato nuk mund t’i udhëheqin ata që në disa palë zgjedhje kanë folur më shumë për rënien e LDK-së sesa për ringritjen e saj.
“Nuk mund t’i bëjnë ata që statuset për “ndryshim” i kishin gati pa u mbyllur kutitë e votimit, e që nuk i pritën as rezultatet e exit poll-eve. Ata qe e sabotuan LDK në këtë proces zgjedhor. Dhe ata kanë emër dhe mbiemër. I njohim të gjithë! Një nga një po e tregojnë vetën! Me një unitet funksional në këto zgjedhje e kemi pas mundësinë që lehtësisht të dalim subjekti i dytë politik në vend! Vizioni i kryetarit Lumir Abdixhiku për bashkim me Presidenten Vjosa Osmanin ka pas efekt pozitiv. Prandaj, janë turrur planet e nates kundër LDK-së!”, ka shkruar Manaj.
Ai ka thënë se LDK do t’i bëj ballë sfidave, siç sipas tij iu ka bërë në kohërat më të vështira.
“Secili që do ballafaqim, këtu jemi! Kush e do ndarjen e LDK dhe mbylljen e saj, e ka gabim! LDK do të jetë këtu e fortë, se bashku me anëtarësinë e saj dhe me popullin e Kosovës në funksion të shtetit të Kosovës!”, ka shtuar ai.
Ndaj këtij postimi, ka reaguar Mushkolaj në një koment.
“Nuk jam njeri që reagoj në postime, veç beso s’po mundem mu përmbajt. Kur po të shoh ty e disa të tjerë tuj fol për interesa të LDK-së e për sabotime e etj., etj., e deri dje në kryesinë e degës nuk të ka lonë Haki Rugova, s’po shprehem ma shumë, po e nal veten”, ka shtuar ai.
Në lidhje me këtë koment, i ka replikuar Manaj, i cili ka thënë se ai ka të drejtë të flas për interesin e LDK-së para shumë kujt, pasi ka thënë se është përfaqësues i LDK-së, anëtar i kryesisë qendrore të LDK-së dhe i Degës së Istogut dhe ka thënë se qëndrimet e tij janë të hapura dhe publike.
“Janë qendrime të koordinuara edhe të degës që përfaqësoj! E dyta, unë kam dhanë me shumë për LDK, e din edhe ti edhe krejt Kosova! Pra, unë reagoj atëherë kur vlerësoj se proceset dalin jashtë binarëve politik, organizativ dhe statutar! Mendimin secili e ka të lirë dhe si të tillë e respektoj! Nuk është etike të permendet kryetari Haki Rugova për politika dhe procese ditore! Por meqë e përmende, po të njoftoj se në kohën kur ai ka qenë kryetar i degës, nga ai jam propozuar kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2019 dhe me mbështetjen e tij dhe të degës jam zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, se bashku me kryetarin Fadil Ferati dhe me kryetarin Haki Rugova, nga viti 2007 jam Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK, i propozuar nga kryetaret paraprak, të cilët përherë e kanë vlerësimin dhe nderimin tonë!”, ka shkruar Manaj.
Ai ka thënë se LDK është e të gjithëve pa dallim, dhe sipas tij kontributi i secilit duhet të jetë në frymën e bashkëpunimit.
“Unë e luaj rolin tim, ashtu siç e vlerësoj dhe mendoj unë, jo qysh dëshironi Ju!”, ka shtuar ai.
Pas kësaj replike, ka reaguar përsëri Jeton Mushkolaj që e ka quajtur “të paburë dhe tradhtar”.
“Pas komentit tim më telefonove dhe i sqaruam në telefon të gjitha, të cilat nuk dua t’i publikoj këtu në komente. E lamë me aq atë punë. Por ti reagove prapë. Që je i paburrë e kam ditur, ndërsa që je edhe tradhtar, këtë sapo e mora vesh”, ka shkruar Mushkolaj drejtuar Manajt.
E këtyre ofendimeve nga Mushkolaj, i është përgjigjur përsëri Manaj.
“Jeton Mushkolaj ti ne publik! Une ne telefon! Ky eshte kontributi juaj per ruajtjen e komunikimit normal ne parti! Zoti ta ruajt burrninë ty!”, ka shtuar ai.
Debati mes tyre është bërë në rrjetin social Facebook, e aty ka ndërhyrë edhe kryetari i Komunës së Istogut Ilir Ferati.
“Jeton Mushkolaj nese skemi legjitimitet me fol per LDK-ne, tregona i dashtun Jeton!”, ka shkruar Ferati. 





Të tjera
Nga sanksionet e SHBA-së te súlmi në Banjskë – zinxhiri i akuzave ndaj Milan Radoiçiqit që e mbron Vuçiqi
Ylli i Fenerbahçes fjalë të mëdha për Muriqin: Do t’i shënojë mbi 20 gola
Serwer viziton FSK-në, diskuton për avancimin e ushtrisë drejt integrimit në NATO