Ekrem Bajroviqi është shpallur sërish fajtor në rigjykim dhe është dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Saradran të Istogut.
Fillimisht, në korrik të vitit 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Bajroviqin me 12 vjet burgim për të njëjtat akuza.
Megjithatë, Gjykata Supreme e ktheu rastin në rigjykim, duke vlerësuar se disa dëshmitarë kishin deklaruar gjatë procesit se më herët kishin dhënë dëshmi edhe për UNMIK-un dhe EULEX-in lidhur me këtë rast, por këto deklarata nuk ishin pjesë e dosjes së lëndës.
Sipas aktakuzës, Bajroviqi, në cilësinë e policit në Stacionin Policor të Gurrakocit, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, më 8 maj 1999 ndaloi në Saradran të Istogut një kolonë civilësh shqiptarë që po largoheshin drejt Shqipërisë.
Ai akuzohet se, së bashku me të tjerë, ndau 16 burra nga kolona, i dërgoi në një shtëpi ku u rrahën me mjete të forta dhe u keqtrajtuan, duke u drejtuar fjalët: “Ku e keni NATO-n, ku e keni UÇK-në?”
Aktakuza thotë se më pas, në bashkëpunim me forca paramilitare serbe, civilët u dërguan një nga një në një shtëpi tjetër, ku u ekzekutuan.
Sipas prokurorisë, 15 persona humbën jetën, ndërsa njëri prej tyre, i identifikuar me inicialet N.E., mbijetoi pasi u plagos rëndë në fytyrë dhe u la mes trupave të viktimave.
Po ashtu, Bajroviqi akuzohet se më 7 maj 1999, në Saradran të Istogut, mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë.
Sipas aktakuzës, burrat u ndanë nga pjesa tjetër e kolonës së civilëve, iu morën paratë dhe sendet me vlerë, ndërsa më pas u dërguan në një lokal në Gurrakoc, ku u maltretuan dhe u torturuan në mënyrë çnjerëzore.
Të nesërmen, më 8 maj 1999, ata u transferuan në Stacionin Policor në Gurrakoc, ku, sipas aktakuzës, kolonës i printe i akuzuari Ekrem Bajroviqi.



Të tjera
Prokuroria Speciale ngre dy aktakuza për krime lufte
Tolaj tregon se është i Gjilanit, jo i Ballkanit
Shoqata e Industrisë së Qumështit kërkon llogari: Publikoni dokumentet e inspektimit në VITA dhe garantoni transparencë!