Prattipati: Kosova e kupton vlerën e sovranitetit

Prattipati: Kosova e kupton vlerën e sovranitetit

Posta e Kosovës ka lansuar emisionin e ri të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë një ceremonie ku zëvendësshefja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, vlerësoi Kosovën për kuptimin e vlerës së sovranitetit dhe demokracisë. Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konstatoi forcim partneriteti mes dy shteteve.

Zëvendësshefja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka thënë se Kosova e kupton vlerën e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm. E ka theksuar këtë në ceremoninë që Posta e Kosovës e organizoi të premten, gjatë së cilës lansoi emisionin e pullave postare kushtuar 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Pranimimi i kësaj pulle nga Kosova sot përbën një nder për ne. Çdo shkronjë e cila gjendet aty përcjell një histori të lirisë dhe miqësisë mes nesh. Postës së Kosovës dua t’ju them se keni krijuar diçka që do të qëndrojë për shumë mot. Vite pas ditës së sotme, njerëzit, qytetarët do ta shikojnë këtë pullë postare dhe do ta kujtojnë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar së bashku për liri”, ka thënë Prattipati. “Si Amerikë, ndërsa po shënon 250-vjetorin e pavarësisë, ne e shpërfaqim mirënjohjen për aleatët tanë siç është Kosova, një komb i cili e kupton vlerën e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm. Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan, ju falënderoj shumë për këtë nder dhe për miqësinë tuaj”.