Gjykata e Apelit e Kosovës ka zbutur dënimin e Dejan Pantiqit nga dy në një vit burgim lidhur me akuzën për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022. Ndërkaq, ka vërtetuar pjesën tjetër të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Milun Milenkoviq dhe Aleksandër Vllajiq u dënuan me nga pesë vjet burgim, përcjell KosovaPost.
Me aktvendimin APS.nr.9/2026, Apeli ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe të mbrojtësve të M.M. dhe A.V., ndërsa ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtësit të D.P., vetëm në pjesën që ka të bëjë me dënimin. Në dënimin prej një viti do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Pantiqi, Millenkoviqi dhe Vllajiqi ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2025.
Gjykata Themelore kishte shpallur fajtorë M.M. dhe A.V. për veprën penale “Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje”, duke i dënuar secilin me nga pesë vjet burgim.
Ndërkaq, për D.P. gjykata e shkallës së parë kishte bërë ricilësimin juridik të veprës penale, duke e shpallur fajtor për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” dhe duke e dënuar me dy vjet burgim. Pas shqyrtimit të ankesës, Gjykata e Apelit e uli dënimin në një vit burgim.
Në të njëjtën çështje penale, M.V., i akuzuar për veprën penale “Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje”, ishte liruar nga akuza pasi gjykata kishte vlerësuar se nuk ishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se ai kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Gjykata e Apelit vlerësoi se pretendimet e mbrojtjes dhe të Prokurorisë Speciale për shkelje të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike nuk janë të bazuara.
Sipas Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore përmban arsye të qarta dhe të plota, ndërsa provat e administruara kanë vërtetuar ekzistimin e elementeve të veprave penale për M.M. dhe A.V.
Sa i përket D.P., Apeli vlerësoi se provat nuk krijonin bazë të mjaftueshme për të dëshmuar se ai kishte marrë pjesë në realizimin e sulmit me mjete shpërthyese apo kishte kontribuar drejtpërdrejt në kryerjen e veprës terroriste, duke lënë në fuqi ricilësimin juridik të veprës dhe duke ndryshuar vetëm dënimin në një vit burgim.
Rasti lidhet me sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut më 6 dhjetor 2022. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Millun Millenkoviq kishte marrë granatat e dorës që ishin transportuar me një autoambulancë, ndërsa Aleksandër Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq akuzoheshin se kishin hedhur granata dore dhe shok-bomba me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve në veri.



Të tjera
Shpenzimet e mbrojtjes të NATO-s parashikohen të kalojnë 1.8 trilion dollarë në vitin 2026
5 punët e shtëpisë që mund t’i bëjnë fëmijët e vegjël
Terras: E ardhmja e Kosovës në BE, por duhen reforma