A dëshiron të vazhdojë me Barcelonën? Përgjigjet Hansi Flick – Ekonomia Online

A dëshiron të vazhdojë me Barcelonën? Përgjigjet Hansi Flick

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka konfirmuar se synon të qëndrojë te Barcelona për të paktën edhe dy vite të tjera, mes zërave për rinovim kontrate.

Ai foli gjithashtu për eliminimin nga Liga e Kampionëve nga Atletico Madridi, të cilin e përshkroi si “shumë të dhimbshëm”.

Barcelona u eliminua në mënyrë dramatike për të dytin sezon radhazi, pasi nuk arriti të fitonte ndeshjen e parë në shtëpi.

Flick shpjegoi se skuadra duhet ta përdorë këtë si motivim për të ardhmen.

“Për mua është një rrugëtim, kemi një skuadër të re. Këto gjëra ndodhin, si eliminimi. Dhemb shumë, ishte shumë e dhimbshme të dilnim në atë mënyrë. Duhet të bëjmë më mirë – në ndeshjet e ardhshme dhe sezonin tjetër. Kjo duhet të na motivojë edhe më shumë. Duhet të përmirësojmë detajet e vogla, por gjithashtu kemi luajtur fantastik në ato ndeshje. Jam shumë krenar për ekipin tim. Tani duhet të fokusohemi te La Liga. Duam ta fitojmë, por ende nuk ka përfunduar”, tha ai fillimisht.

Ai theksoi se gara për titull nuk është e lehtë.

“La Liga nuk është një kampionat i lehtë. Duhet të japim maksimumin, si ndaj Atletico-s, për tifozët dhe klubin. Është e dhimbshme që u eliminuam, por kjo na jep energji për ndeshjet e ardhshme”, shtoi gjermani.

Së fundmi është përfolur edhe për një marrëveshje verbale për rinovim kontrate deri në vitin 2028 – vit kur pritet të përfundojnë punimet në “Camp Nou”.

Flick pothuajse konfirmoi synimet e tij për të ardhmen.

“Është një ëndërr e madhe për mua. Dua të fitojmë Championsin dhe të kemi një skuadër fantastike për vitet e ardhshme. Duhet të marrim vendime të sakta në merkato dhe të mos bëjmë gabime. Kemi një ekip të ri me shumë potencial”, u shpreh ai.

“Gjëja e dytë është që dua të jem trajner kur të përfundojë stadiumi. Nuk e di nëse do të ndodhë, sepse futbolli është i paparashikueshëm, por jam shumë i lumtur këtu. Ndihem si në familje”, vazhdoi tutje Flick.

Flick nuk dëshiron të shpërqendrohet nga objektivi aktual.

“Ky është plani im, por tani nuk është momenti për të folur për kontratën. Kemi një objektiv të madh në javët e ardhshme”, tha ai.

Ai u shpreh pozitiv për gjendjen e skuadrës pas eliminimit: “Energjia dhe atmosfera janë fantastike. Duhet ta tregojmë këtë në fushë në shtatë ndeshjet e fundit. Duhet të mësojmë nga gabimet”.

Trajneri gjerman pranoi se mungesat ndikuan në eliminim, duke përmendur Raphinhan dhe Frenkie de Jongun, por nuk kërkoi justifikime.

Ai theksoi gjithashtu mungesën e liderit në mbrojtje si Inigo Martinez.

“Na duhen lojtarë me lidership në fushë. Është e rëndësishme komunikimi dhe organizimi. Këto janë gjëra që duhet t’i mësojmë dhe përmirësojmë”, bëri me dije ai.

Në fund, Flick deklaroi se Barcelona është eksperienca më e mirë në karrierën e tij.

“Kam kaluar kohë të mrekullueshme me kombëtaren gjermane dhe te Bayerni, por kjo është më e mira. Familja ime e shijon jetën këtu, stafi dhe lojtarët gjithashtu. Është fantastike të jesh këtu. Ëndrra e tifozëve është të fitojmë Championsin dhe shpresojmë ta arrijmë sezonin e ardhshëm”, e mbylli ai.

Barcelona rikthehet në aksion kundër Celta Vigo të mërkurën në mbrëmje, duke synuar rikthimin te fitoret në “Camp Nou”, ndërsa aktualisht kryeson kampionatin me nëntë pikë diferencë./GE