Abdixhiku në Mejë, kujton 376 civilët e vrarë dhe kërkon drejtësi për viktimat e luftës

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar masakrën e Mejës, duke thënë se mëngjesin e ka kaluar mes familjarëve të viktimave, të cilët ende mbajnë mbi supe peshën e një prej masakrave më të rënda në Evropë.

Ai pëmes një postimi në Facebook, ka rikujtuar se 27 vjet më parë, 376 civilë shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë, u ndaluan dhe u ndanë me forcë nga familjet e tyre, për t’u vrarë më pas nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë.

“Mëngjesin e kalova në Mejë, mes familjarëve që mbajnë ende mbi supe peshën e njërës nga masakrat më të errëta që kontinenti evropian mban në mend. Njëzet e shtatë vite më parë, 376 civilë shqiptarë, mes tyre edhe fëmijë, u ndalën dhe u ndanë me forcë nga më të dashurit e tyre. U vranë gjakftohtësisht nga forcat policore e ushtarake të Serbisë. Krimi nuk përfundoi aty. Shteti serb organizoi fshehjen e tij. Trupat u bartën 280 kilometra larg, deri në Batajnicë, dhe u varrosën në varre masive”, shkroi Abdixhiku.

Ai theksoi se dhimbja e familjeve mbetet e gjallë edhe pas kaq vitesh, duke shtuar se kjo ditë nuk është vetëm kujtim, por edhe përgjegjësi për të mos harruar të kaluarën dhe për të kërkuar drejtësi.