Anëtari i VV’së konfirmon bisedat e Mihalit me Nagip Krasniqin: S’po flasin as për punësime e as për dëmtim të pasurisë publike

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi i ka konfirmuar bisedat e koordinatores së komiteteve në LVV, Dejona Mihalit me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Ai e arsyeton edhe kërkesën e bashkëpartiakes që ajo ia bën ish-kryeshefit të KEK-ut që të mos ndalet rryma për një kohë. Këtë e arsyeton me faktin se ajo është zyrtare e partisë që i ka fituar mbi 50% të votave në zgjedhje.

“Qesharak është fakti se zyrtarët e Vetëvendosjes po i akuzojnë thjesht pse kanë komunikim privat dhe koordinim me njëri-tjetrin. Sepse aty as nuk komunikohet për punësim personash të pakualifikuar, as për tenderë që dëmtojnë pasurinë publike, siç kemi parë në përgjimet e kohëve të shkuara. Madje as nuk kërkohet të ndalet rryma, por të mos ndalet rryma deri sa të gjendet zgjidhja për furnizim. Jo po “kush është ajo të vendosë që rryma të mos ndalet”. Ajo është zyrtare e lartë e VV, dhe VV ka fituar dhe do të fitojë zgjedhjet me mbi 50% që të qeverisë me program e politika të ndryshme nga të shkuarat”, shkruan Zaimi.

Zaimi tha se “edhe më qesharake janë akuzat ndaj Nagip Krasniqit”, që, siç thotë ai, “ia kurseu Kosovës mbi 100 mln euro duke ndërprerë kontrata e tenderime të dëmshme”.

Në komunikimet e publikuara nga Nacionale, Krasniqi i thotë Mihalit se është ““pak a shumë është i vërtetë” që ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe kompania GEN përfituan 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.

“Dyfish qesharake akuzat ndaj Martin Berishajt që e akuzojnë për diçka që ka ndodhur në kohët kur qeverisnin ata vetë. Thënë shkurt, e akuzojnë për lobimin që ka bërë me qëllim që Kosova të mos e blinte energjinë e importuar nga kompani serbe, por nga kompani sllovene”, shkruan Zaimi.

“Pastaj këto ankesat se kinse po mbetet ushtria pa bukë meqë u largua një monopol privat i panevojshëm, kur bëhen nga ata që e lanë ushtrinë pa armë e municione, janë më shumë për të qarë”, shkruan ai.