Arben Gashi godet Abdixhikun: Isha kritik i hapur....

Arben Gashi godet Abdixhikun: Isha kritik i hapur….

Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pas publikimit të përbërjes së re të Kryesisë së partisë, duke bërë të ditur se nuk është pjesë e strukturës së re drejtuese, transmeton Kosova Post.

Në një deklarim publik drejtuar përkrahësve, votuesve dhe simpatizantëve të LDK-së, Gashi ka theksuar se që nga përfundimi i zgjedhjeve të shkurtit 2025 ka shprehur hapur brenda strukturave partiake shqetësimet për gjendjen në parti dhe për humbjen e besimit të brendshëm.

Ai ka bërë të ditur se ka propozuar veprime konkrete për distancim nga parregullsitë dhe për krijimin e një momentumi të ri politik, gjithëpërfshirës dhe konkurrues, por sipas tij këto propozime nuk kanë gjetur përkrahjen e nevojshme në votim.

Gashi ka theksuar se ka refuzuar përjashtimet brenda partisë dhe ka kërkuar unitet, duke e cilësuar këtë si të domosdoshëm për një subjekt politik që synon të udhëheqë vendin.

Ai ka shtuar se edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025 ka paraqitur analiza dhe rrugëdalje konkrete për situatën në parti, por drejtimi i zgjedhur ka qenë tjetër.

“Hendeku mes LDK-së dhe votuesit nuk është rastësi, por pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se një cikël politik në parti tashmë ka përfunduar dhe se nevojitet një fazë e re me lidership dhe energji të re.

Në fund të reagimit të tij, ai ka theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë në anën e parimeve, votuesit dhe të së vërtetës, duke shprehur bindjen se vlerat autentike të LDK-së mund të rikthehen.