Audio-incizimi për BE-në nxit reagime, distancohen tre anëtarë të KPK

Audio-incizimi për BE-në nxit reagime, distancohen tre anëtarë të KPK

Audio-incizimi i publikuar nga Betimi për Drejtësi, nga mbledhja e 28 janarit e mbajtur në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku mori pjesë kryeprokurori i shtetit Agron Qalaj, së bashku me kryeprokurorët e prokurorive, ka zbuluar diskutime lidhur me qëndrimet ndërkombëtare ndaj sistemit prokurorial në Kosovë.

 

Në këtë mbledhje, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, deklaroi se qëndrimi i Bashkimi Evropian për mos-konstituimin e Këshillit është i ndikuar nga grupe interesi. Sipas tij, Zyra e BE-së në Kosovë ka mbajtur qëndrim të njëanshëm dhe jo në përputhje me standardet e BE-së.

Në të njëjtën mbledhje ka diskutuar edhe ish-Kryeprokurori i Shtetit, aktualisht prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi. Ai është shprehur kritik ndaj qëndrimeve të Bashkimit Evropian, duke thënë se ato ndikohen nga shoqëria civile dhe individë që, sipas tij, synojnë ta paraqesin sistemin prokurorial si të dështuar.

Reagim në mbledhje pati edhe prokurori Shqipdon Fazliu, i cili theksoi se qëndrim të ngjashëm me atë të BE-së kanë shprehur edhe autoritete të tjera ndërkombëtare dhe organizata të shoqërisë civile, prandaj nuk mund të konsiderohet i njëanshëm.

Menjëherë pas publikimit të audio-incizimit, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla. Ajo e cilësoi incizimin shqetësues dhe si pasqyrim të gjendjes në sistemin prokurorial. Sipas saj, reforma në drejtësi mbetet prioritet, ndërsa gjuha dhe rezistenca ndaj reformave përbëjnë rrezik serioz për integritetin e sistemit. Ministrja dënoi gjuhën denigruese dhe kërkoi zbatimin e reformave.

RTK ka kontaktuar prokurorët që dëgjohen në audio-incizim, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, nuk ka pasur reagim as nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, së cilës RTK i ka dërguar kërkesë zyrtare për qëndrim.

Për gjuhën e folur në mbledhje ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi. Sipas Gëzim Shalës, gjuha e folur është e papranueshme, veçanërisht duke pasur parasysh investimin e madh të Bashkimit Evropian në Kosovë, përfshirë mbështetjen për sistemin prokurorial. Ai theksoi se qëndrimet e BE-së përputhen me vlerësimet e raporteve vendore dhe ndërkombëtare.

“Nga ajo se çfarë kemi parë është një gjuhë definitivisht e papranueshme , në anën tjetër nuk duhet harruar faktin sa shumë ka investuar Bashkimi Evropian në Kosovë në fusha të ndryshme përfshirë edhe avancimin e sistemit prokurorial dhe një gjuhë e tillë është totalisht e papranueshme.  Qëndrimet e BE-së nuk janë të shkoqitura nga qëndrimet e raporteve të tjera vendore e ndërkombëtare, ambasadave raportet e shoqërisë civile etj”, tha Shala.

Gjatë ditës, tre anëtarët e Këshilli Prokurorial të Kosovës; Arian Gashi, Dardan Vuniqi dhe Visar Krasniqi, përmes një letre drejtuar ambasadorit Aivo Orav, janë distancuar nga gjuha e folur ndaj Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Ata theksuan se deklarimet përfaqësojnë qëndrime individuale dhe jo qëndrim institucional të sistemit prokurorial.