Autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri i kanë arrestuar të mërkurën katër të dyshuar si pjesë e një hetimi ndaj një zjarri të madh në një ndërtesë shumëkatëshe banimi një ditë më parë në kryeqytetin e vendit, Tiranë, ndërsa katër të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar në liri, thanë autoritetet.
Policia e Tiranës tha se të arrestuarit janë administratori i kompleksit të pallateve, inxhinieri që kishte udhëhequr punimet për ndërtimin e tij, si dhe administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e pallatit.
Që të tre akuzohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, një ditë pasi zjarri përfshiu ndërtesën 12-katëshe, si pasojë e të cilit u lënduan 11 njerëz.
Ndërkohë, i arrestuari i katërt është menaxherja e një dyqani në katin e parë të ndërtesës së prekur nga zjarri, e cila akuzohet për shkatërrim të pronës nga pakujdesia dhe për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Policia theksoi se po i heton edhe për katër njerëz të tjerë, në mesin e cilëve edhe pronarin e kompleksit të pallatit dhe dy punonjëset e subjektit tregtar, prej të cilit nisi zjarri që përfshiu tërë ndërtesën, raporton REL, transmeton Periskopi
Hetimet e para kanë treguar se dyshohet se në pjesën e pasmë të dyqanit, në rrethana të paqarta, nisi djegia e zjarrit në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina.
Policia thotë se menaxherja e dyqanit nuk kishte marrë masa për heqjen e mbeturinave.
Ndërsa, administratori i kompleksit të banimit dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.
Policia sqaron se nga zjarri u lënduan 11 njerëz, përfshirë zjarrfikës dhe banorë të ndërtesës, të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital.
Ndërkaq, autoritetet janë duke i bërë përllogaritjet për ta përcaktuar dëmin material të shkaktuar nga zjarri.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha të mërkurën se ndërtesa e djegur do të rindërtohet “100 për qind nga vetë ndërtuesi”, pavarësisht se të dhënat paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin.
“Nuk mund t’i lëmë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre, dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë për një humbje që duhet të mbulohet nga sigurimi – një rast i qartë për të gjithë që të kuptojnë se sigurimi i shtëpive kundër fatkeqësive është absolutisht thelbësor”, tha kryeministri.
Zjarri – që nisi rreth orës 17:00 të martën pasdite – u vu nën kontroll rreth tri orë më vonë, sipas autoriteteve.
Fasada e pallatit mori flakë tërësisht deri në katin e 12-të dhe, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikëseve zjarri, depërtoi edhe brenda në banesa.



Të tjera
Komuna e Përparim Ramës paguan afër 20 mijë euro për një konsulent, ndonëse ka staf të brendshëm
Vllaznia vs Malisheva, sonte përballje shqiptare në Conference League
Ushqimet që duhet t’i hani për të pasur një pleqëri të shëndetshme