Pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtore ish-zyrtaren e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq për spiunazh, duke u dënuar me 6 vite burgim, në një prononcim para medieve, mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Predrag Miljkoviq paralajmëroi se do të ankohen deri në Gjykatën Kushtetuese, në anën tjetër prokurori special, Bekim Kodraliu tha se askush nuk është mbi ligjin.
Avokati Miljkoviq paralajmëroi apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjykata e Apelit ka kthyer dy provat mbi telefona prapë në gjykim, na e kemi ekspertu aktgjykimin dënues mendoj se këtë prova nuk janë të ligjshme sepse nuk kanë qenë me urdhër gjykate të marra- domethënë secili telefon për me analizu me ba bastisje duhet me pas urdhër të gjykatës, do ta apeloj dhe luftoj deri në Gjykatën Kushtetuese”, tha avokati Predrag Miljokviq.
Në anën tjetër, prokurori special, Kodraliu tha se askush nuk është mbi ligjin dhe se do të ndiqen e hetohen të gjitha rastet e veprave të tilla penale, të cilat cenojnë rendin juridik dhe kushtetues, si dhe sigurinë kombëtare dhe jetën e qytetarëve.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë nda Jelena Gjukanoviqit, e cila ngarkohej se nga data e pacaktuar e në vazhdimësi deri në momentin e arrestimit të saj, më datë 28 shkurt 2025, në cilësinë e zyrtares vendore të misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, në pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar në Qendrën Rajonale në Mitrovicë”, me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumentet dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, agjentin rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiq.
Aktakuza thotë se Gjukanoviq i ka përcjellë Vllajiqit informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, tek përgjegjësi i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe BIA-s në Beograd.
Gjithnjë sipas aktakuzës, e akuzuara përmes influencimit dhe ndikimit të saj, nga pozita që mbante në OSBE dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh Aleksandër Vllajiq dhe zyrtarët e BIA-s, gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës, kështu përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, e akuzuara ka cenuar rëndë rendin kushtetuese dhe sigurinë kombëtare dhe ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit si dhe personelit ndërkombëtar të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Me këtë, e akuzuara Jelena Gjukanoviq akuzohej se ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par.3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është një organizatë ndërkombëtare që merret me sigurinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, e cila përmes misionit të saj ka prezencë zyrtare dhe seli edhe në Kosovë.



Të tjera
Kurti kërkon presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për të pagjeturit
Dënim me burgim për Gjukanoviq, Sveçla: Institucionet do të vazhdojnë luftën kundër spiunazhit
Çmenduri: Antony Joshua rikthehet në ring, do të përballet me shqiptarin Kristian Prenga