Një gjullurdi mediatike ka qenë ajo e ngritjes së një “Shteti Bektashi” në Tiranë, një lloj “Vatikani” në kryeqytetin shqiptar, të cilin kërkon ta themelojë udhëheqësi shpirtëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i njohur gjerësisht si Baba Mondi.
Një lajm, i cili i vjen Shqipërisë nga Amerika e largët, përmes një publikimi të prestigjiozes New York Times, por që shkaktoi shumë zhurmë në vend.
Sipas komentit të NYT, nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë ky shtet do të jetë më i riu dhe më i vogli në botë. Ndërsa, kryeministri Edi Rama, shpalosi planin për ta emërtuar “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”.
Vetë Baba Mondi tregohet në artikull deri diku i rezervuar për atë çfarë mund të jetë administrativisht ky shtet në ide, por duket se interesi i lartë publik ka bërë që ai të reagojë mbi çështjen.
Përmes një reagimi për televizionin Report TV, kryegjyshi botëror ka shpjeguar disa detaje, duke përmendur se edhe asministrativish, funksionimi do të jetë i ngjashëm me atë të Vatikanit, ashtu si Albanian Post bëri me dije në një artikull shpjegues të mëhershëm.
Teksa, në thelb, ai artikulon se nuk është thjesht çështje e ngritjes së një shteti sovran, por e promovimit të vlerave fetare dhe paqes e tolerancës.
Si e përshkruan Baba Mondi këtë entitet të ri, i cili mund të ngrihet në periferinë lindore të Tiranës, aty ku edhe ndodhet Kryegjyshata Botërore, të cilën ai e drejton?
Çfarë do të thotë njohja e sovranitetit për Urdhrin Bektashi?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Njohja e sovranitetit është një moment transformues për Urdhrin Bektashi. Do të na lejojë të mbrojmë dhe avancojmë misionin tonë shpirtëror për promovimin e paqes, tolerancës dhe dashurisë për njerëzimin në shkallë globale.
Krijimi i Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi do të na japë autonominë për të vazhduar punën tonë pa ndërhyrje, duke na mundësuar të qeverisim çështjet tona fetare dhe administrative njëlloj si Vatikani. Ky kapitull i ri për komunitetin bektashi siguron që zëri ynë, i cili ka mbrojtur prej kohësh moderimin dhe dialogun ndërfetar, do të rezonojë më fuqishëm në mbarë globin.
Për besimtarët tanë, kjo nuk ka të bëjë me pushtetin politik apo blerjen e tokës. Ka të bëjë me forcimin e misionit të Urdhrit Bektashi për moderimin shpirtëror dhe mbrojtjen e praktikave tona fetare.
Shqipëria ka qenë historikisht një fener i bashkëjetesës fetare dhe ky hap është një dëshmi e natyrës largpamëse të qeverisë shqiptare nën udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili pranoi rëndësinë e dhënies së hapësirës për të vazhduar promovimin e paqes.
Për komunitetin tonë në mbarë botën, është një moment krenarie dhe ripërtëritjeje, duke forcuar identitetin dhe praninë tonë në skenën globale.
Kush do të ketë të drejtë të përfitojë shtetësinë e këtij Urdhri?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Shtetësia në Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet tek anëtarët e klerit dhe ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt në administrimin e shtetit, ngjashëm me mënyrën se si është strukturuar shtetësia në Vatikan.
Kjo sepse fokusi ynë është te qeverisja shpirtërore, jo te krijimi i një popullsie të madhe, të përcaktuar politikisht.
Shteti ynë i ri është kryesisht një ent shpirtëror dhe qëllimi është të ruajë aftësinë e Urdhrit Bektashi për të funksionuar në mënyrë të pavarur në çështjet e tij fetare dhe administrative. Thënë kështu, ndërsa shtetësia e përgjithshme nuk do të shtrihet për të gjithë ndjekësit, sovraniteti do të sigurojë një bazë të sigurt për komunitetin bektashi në mbarë botën që të vazhdojë praktikat e tyre fetare pa ndërhyrje.
Urdhri do të shërbejë si një shtëpi shpirtërore për besimtarët Bektashinj anembanë globit, duke u ofruar atyre një vend strehimi dhe përfaqësimi, edhe nëse ata nuk janë qytetarë zyrtarë.
Pse është rëndësishëm krijimi i këtij Urdhri dhe pse ju e vendosni fokusin tek ekstremizmi veçanërisht?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Urdhri Bektashi ka qëndruar gjithmonë si një zë moderimi brenda Islamit. Me sovranitetin tonë të njohur, ne jemi në një pozicion më të fortë për t’iu kundërvënë ideologjive radikale që kanë pllakosur, jo vetëm botën myslimane, por komunitetet globale në përgjithësi.
Ne do të angazhohemi aktivisht në bashkëpunimin ndërfetar, do të zgjerojmë programet arsimore dhe do të nxisim shkëmbimet kulturore që promovojnë tolerancën dhe bashkëjetesën paqësore.
Ekstremizmi lulëzon në ndarje dhe duke fuqizuar zëra të moderuar si i yni, ne mund të krijojmë një kundër-narrativë të fuqishme. Ne planifikojmë të bashkëpunojmë ngushtë me partnerë ndërkombëtarë, duke përfshirë vende të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe vende në të gjithë Lindjen e Mesme, të cilët kanë shprehur mbështetje të fortë për këtë nismë.
Duke u fokusuar në edukimin, dialogun dhe promovimin e lirisë fetare, Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi do të kontribuojë në përpjekjet globale për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin.
Kritikët mund të argumentojnë se kjo lëvizje e sovranitetit është politike. Si i përgjigjeni kësaj?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Ndërsa ne po bëhemi vërtet një shtet sovran, fokusi ynë është tërësisht shpirtëror, jo politik. Sovraniteti i dhënë Urdhrit Bektashi ka të bëjë me ruajtjen e pavarësisë sonë për të përmbushur misionin tonë për të promovuar paqen, tolerancën dhe dialogun.
Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare.
Urdhri Bektashi ka qëndruar gjithmonë mbi grindjet politike dhe ky status i ri është një njohje e kontributit tonë në nxitjen e paqes. Ai është krijuar për të na lejuar të veprojmë pa kufizimet e ndikimit politik, në mënyrë që të mund të fokusohemi vetëm në zhvillimin shpirtëror dhe moral të ndjekësve tanë, dhe si rrjedhojë, të gjithë atyre që kërkojnë paqe dhe bashkëjetesë.
Të tjera
Hajdari me veteranët: Veteranët janë damari i lirisë, ata meritojnë dinjitet që s’ua cënon dinjitetin
51-shi i PDK-së: Bedri Hamza është kryeministri i ardhshëm, ne jemi përfaqësuesit e projektit që e nderon vendin
Petrit Hajdari në Komoran: Mesazhi ynë Kosova munet ma mirë po grumbullon qytetarë gjithandej.