Barcelona ka nisur punën për afatin kalimtar të verës, dhe Marcus Rashford pritet të jetë pjesë e planeve të klubit. Trajneri Hansi Flick i ka bërë të ditur drejtorit sportiv Deco se dëshiron që sulmuesi i huazuar nga Manchester United të qëndrojë të paktën edhe një sezon tjetër, megjithëse kjo nuk pritet të jetë e lehtë.
Në këtë fazë, Barcelona nuk ka ndërmend të paguajë klauzolën e blerjes që ekziston në marrëveshjen e huazimit me Manchester Unitedin. Megjithatë, ky qëndrim e bën shumë të vështirë transferimin përfundimtar të Rashfordit, pasi klubi nga “Old Trafford” nuk dëshiron të negociojë sërish – sidomos për një tjetër huazim.
Pavarësisht kësaj, Barcelona do të bëjë përpjekje për ta mbajtur Rashfordin edhe këtë verë, dhe kjo konsiderohet lajm i mirë për Frenkie de Jong. Sipas “Sport”, mesfushori holandez ka mbështetur vazhdimin e aventurës së anglezit në Spotify Camp Nou, duke pranuar se ka mbetur shumë i impresionuar nga paraqitjet e tij që nga ardhja verën e kaluar.
“Mendoj se e ka fituar të drejtën të qëndrojë. Në minutat që ka pasur, ai na ka dhënë shumë: gola, asistime dhe thellësi në lojë. Është një lojtar i shpejtë që u shkakton shumë probleme mbrojtjeve kundërshtare. Për mua, do të isha shumë i lumtur nëse vazhdon me ne,” deklaroi De Jong.
Ai shtoi se Rashford kishte ardhur në Barcelonë me shumë entuziazëm dhe dëshirë për të qëndruar.
“E pashë që erdhi me shumë entuziazëm. Ishte shumë i lumtur që ndodhej këtu dhe që nga momenti i parë dukej se donte të qëndronte. Është përpjekur të përshtatet sa më mirë dhe unë e kam parë shumë mirë.”
Për momentin, mbetet e qartë se e ardhmja e Rashfordit varet kryesisht nga Manchester Unitedi. Barcelona preferon një tjetër huazim, ndërsa në rast të një transferimi përfundimtar, katalunasit duan që marrëveshja të realizohet sipas kushteve të tyre. Vetë lojtari është i vendosur të qëndrojë, por mbetet të shihet nëse kjo do të ndodhë.



Të tjera
100 euro- Kur do të dalin paratë në llogaritë e qytetarëve?
KE mirëpret propozimin për afrimin e Ballkanit dhe Ukrainës me BE-në
Ministri Hoxha: Shtetasi shqiptar, Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Sumud”, është rrugës për në atdhe