Bayern Munich është kualifikuar në gjysmëfinale të Champions League, pas një përballje dramatike me Real Madrid, që është vendosur pas dy ndeshjeve me rezultat të përgjithshëm 6-4 për skuadrën gjermane.
Ndeshja e dytë, e zhvilluar të mërkurën në “Allianz Arena”, ka përfunduar me fitore në kohën e rregullt pas rezultatit 4-3, ndërsa heroj të takimit janë bërë Luis Diaz dhe Michael Olise, që kanë shënuar në minutat e fundit, duke i siguruar Bayern kualifikimin.
Pjesa e parë e kësaj ndeshje ka qenë jashtëzakonisht e fortë, duke prodhuar pesë gola dhe duke përfunduar me epërsinë 2-3 për Real Madridin.
Ndeshja ka nisur me ritëm të lartë dhe vetëm në minutën e parë Real Madrid ka kaluar në avantazh. Pas një gabimi të portierit të Bayern, topi është përfituar nga Arda Guler, i cili ka shënuar për 0-1 me një goditje të saktë nga distanca.
Bayern ka reaguar shpejt dhe në minutën e shtatë e ka barazuar rezultatin. Pas një korneri të ekzekutuar nga Joshua Kimmich, mbrojtësi Aleksandar Pavlovic ka shënuar me kokë për 1-1.
Në minutën e njëzet e nëntë, Real Madrid e ka rikthyer epërsinë. Sërish protagonist ka qenë Arda Güler, i cili ka realizuar një supergol nga goditja e dënimit për 1-2.
Bayern nuk është dorëzuar dhe në minutën e tridhjetë e tetë ka barazuar përsëri. Harry Kane ka shënuar për 2-2.
Por në fund të pjesës së parë, në minutën e dyzet e tretë, Kylian Mbappe e ka rikthyer epërsinë për Real Madrid, duke e mbyllur pjesën e parë 2-3.
Në pjesën e dytë, Bayern ka arritur të barazojë dhe më pas të sigurojë kualifikimin falë golit fillimisht të Luis Diaz e më pas edhe golit tjetër të Michael Olise.
Tashmë “bavarezët” do të ndeshen në gjysmëfinale me kampionin në fuqi, Paris Saint Germanin. /rtk



Të tjera
Mësoni arsyen pse ju dridhen duart
Mjalti më i mirë sesa ilaçet kundër kollës dhe ftohjes
Parandalohet kontrabandimi i 150 shpezëve me furgonin që dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga Serbia