Bayerni hidhet në sulm për Rashfordin, Barcelona e ka të vështirë ta mbajë – Ekonomia Online

Bayerni hidhet në sulm për Rashfordin, Barcelona e ka të vështirë ta mbajë

E ardhmja e Marcus Rashford duket gjithnjë e më larg Barcelonës.

Sulmuesi anglez e zhvilloi një sezon të shkëlqyer në huazim te katalanasit, duke i regjistruar 14 gola dhe 14 asistime në të gjitha kompeticionet, por qëndrimi i tij në “Camp Nou” po komplikohet nga faktorët ekonomikë.

Sipas raportimeve nga Gjermania dhe Anglia, Bayern Munich po e monitoron me shumë interes situatën e sulmuesit të Manchester United dhe po e shqyrton mundësinë e një oferte gjatë afatit kalimtar të verës, përcjell “Gazeta Express”.

Kampionët gjermanë janë në kërkim të një lojtari krahu pas dështimit për të siguruar objektiva të tjerë dhe Rashford shihet si një alternativë e rëndësishme.

Barcelona, nga ana tjetër, e ka një opsion blerjeje për anglezin, por situata financiare e klubit dhe ardhja e Anthony Gordon i kanë vështirësuar planet për ta mbajtur përfundimisht në skuadër.

Drejtuesit katalanas po hezitojnë ta paguajnë shumën e kërkuar nga Manchester United, ndërsa paga e lartë e lojtarit mbetet një tjetër pengesë.

Edhe pse Rashford e ka shprehur dëshirën për ta vazhduar aventurën në Spanjë, deri tani nuk ka asnjë garanci për të ardhmen e tij.

Vetë lojtari e ka pranuar se nuk e di se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, pavarësisht suksesit të arritur me Barcelonën.

Bayerni e vlerëson eksperiencën dhe fleksibilitetin e 28-vjeçarit, i cili mund të luajë në disa pozicione të repartit ofanziv.

Megjithatë, drejtuesit bavarezë po e analizojnë me kujdes koston totale të operacionit, veçanërisht për shkak të pagës së lartë që Rashford e përfiton aktualisht.

Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e anglezit, me Bayernin që po përgatitet të përfitojë nga vështirësitë e Barcelonës për ta realizuar një transferim që mund të bëhet një nga më të bujshmit e kësaj vere.