Beteja e Arbër Bullakajt në Parlamentin e Zvicrës – lehtësimi i marrjes së shtetësisë nga të huajt

Shumica e deputetëve zviceranë janë kundër ndryshimit të rregullave për marrjen e pasaportës zvicerane. Mbi këtë çështje pritet të vendos populli në referendum.

Parlamenti zviceran ka zhvilluar këtë javë një debat të gjatë rreth të ashtuquajturës “Iniciativa për Demokraci”, një propozim që synonte të lehtësonte procesin e marrjes së shtetësisë për mijëra të huaj që jetojnë në këtë vend, përfshirë një numër të madh të shqiptarëve nga viset e ndryshme të Ballkanit.

Megjithatë, shumica parlamentare e djathtë dhe e qendrës e ka hedhur poshtë këtë nismë, duke argumentuar se natyralizimi duhet të mbetet kurora e një integrimi të suksesshëm dhe jo një proces i thjeshtë administrativ.

Një ndër përkrahësit më të mëdhenj të lehtësimit të marrjes së shtetësisë zvicerane është deputeti Arbër Bullakaj nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës.

Vetëm tri ditë pas marrjes së detyrës si deputet i ri për kantonin e St. Gallenit, Bullakaj u gjend në qendër të vëmendjes në sallën e Parlamentit. Angazhimi i tij nuk ishte i rastësishëm, pasi ai ka qenë një nga zërat kryesorë dhe nismëtarët e “Iniciativës për Demokraci” prej vitesh, duke luftuar për një qasje më të drejtë ndaj procesit të natyralizimit.

Gjatë diskutimeve të ashpra, partitë e krahut të majtë, si Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, kritikuan sistemin aktual, duke e quajtur atë si arbitrar që pengon integrimin e vërtetë. Sipas tyre, procedura aktuale është e shtrenjtë, e ndërlikuar dhe shpeshherë poshtëruese për kandidatët, veçanërisht në komuna të vogla ku njerëzit pyeten për detaje të parëndësishme.

Një moment tensioni në parlament u shënua kur krahu më radikal i të djathtës, Partia Popullore (SVP), prezantoi një kërkesë që prek drejtpërdrejt personat me dy shtetësi.

Kjo parti kërkoi që personat që duan të bëhen zviceranë, të detyrohen të heqin dorë nga pasaporta e tyre origjinale, një masë që do t’i detyronte shumë shqiptarë të zgjidhnin mes njërës apo tjetrës shtetësi. Ky propozim u cilësua si një provokim i pastër nga partitë e tjera dhe nuk mori mbështetjen e nevojshme, por shpërfaqi presionin në rritje ndaj komuniteteve të huaja.