BQK e institucionet vendore forcojnë koordinimin për integritetin financiar

BQK e institucionet vendore forcojnë koordinimin për integritetin financiar

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka zhvilluar një takim ndërinstitucional me përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Njësisë për Inteligjencë Financiare të Kosovës (NJIF-K) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), me fokus forcimin e bashkëpunimit për ruajtjen e integritetit të sistemit financiar dhe zbatimin e kornizës ligjore e rregullative.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatori Milot Cakaj dhe bashkëpunëtorë të tjerë, priti në takim drejtorin e ATK-së, Mentor Hyseni, drejtorin e NJIF-K-së, Genc Rraci, si dhe ushtruesin e detyrës së Kryeinspektorit të IQMT-së, Florent Kuçi.

Sipas njoftimit , gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në sektorin financiar dhe biznesor, avancimin e koordinimit ndërinstitucional, shkëmbimin e informacionit brenda kornizave ligjore dhe forcimin e bashkëpunimit për mbështetjen e stabilitetit financiar, sundimit të ligjit dhe funksionimit të rregullt të tregut.

“Një pjesë e veçantë e diskutimeve iu kushtua zbatimit të Ligjit për Kripto-Asetet dhe rregulloreve të BQK-së për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve të lidhura me kripto-asetet. Përfaqësuesit institucionalë theksuan rëndësinë e pajtueshmërisë me kërkesat ligjore dhe rregullative, si dhe nevojën që vetëm aktivitetet e licencuara të operojnë në treg, me qëllim të mbrojtjes së integritetit financiar, konsumatorëve dhe konkurrencës së drejtë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu drejtuesit e institucioneve vlerësuan se bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional është thelbësor për zbatimin efektiv të legjislacionit dhe forcimin e besimit në treg. Po ashtu, u ritheksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e aktiviteteve financiare dhe biznesore dhe garantimin e një mjedisi transparent, të rregulluar dhe konkurrues.

Në fund të takimit, palët u dakorduan të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin profesional, përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve brenda kornizës ligjore, në funksion të mbështetjes së stabilitetit financiar dhe integritetit të tregut në Republikën e Kosovës.