Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, harmonizimi me politikat e Bashkimit Evropian dhe vazhdimi i reformave mbeten ndër kushtet kryesore për përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE. Këto ishin mesazhet kryesore të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës së tij në Beograd, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi në Beograd se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Serbisë, por se përparimi drejt anëtarësimit kërkon reforma konkrete, bashkëpunim rajonal dhe ndërtimin e besimit.
Në konferencën e përbashkët për media me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Costa theksoi se Serbia duhet të vazhdojë përparimin në tri fusha kyçe: normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, harmonizimin me politikat dhe vlerat e BE-së dhe zbatimin e reformave në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe procesin zgjedhor.
“Së pari, kultivimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal. Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, janë kyçe në këtë drejtim. Së dyti, harmonizimi me politikat dhe vlerat e BE-së, veçanërisht me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.”
Costa tha gjithashtu se BE-ja pret përshpejtimin e reformave në drejtësi, lirinë e medias dhe legjislacionin zgjedhor, përfshirë zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it. Në delegacionin evropian ishte edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, Peter Sørensen, duke konfirmuar rëndësinë që Brukseli i kushton procesit të dialogut.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe vazhdimit të reformave të kërkuara në procesin e integrimit.
“Nga reformat në drejtësi deri te çështja e Organit Rregullator për Mediat Elektronike, ne po vazhdojmë punën për përmbushjen e obligimeve tona. Do të miratojmë edhe dy ligje të tjera që kanë të bëjnë me financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, si dhe me luftën kundër korrupsionit.”
Pas vizitës në Beograd, Costa udhëton për në Tivat për Samitin BE–Ballkani Perëndimor, ku merr pjesë edhe Vuçiq. Pjesëmarrja e tij vjen në një moment tensionesh mes Beogradit dhe Podgoricës, pasi policia malazeze ndaloi në aeroportin e Tivatit dhe më pas ktheu në Serbi një grup prej rreth 90 shtetasish serbë, për të cilët dyshon se kanë të kaluar kriminale dhe se kishin ardhur për të organizuar pritjen e presidentit serb.
Rasti ka shkaktuar reagime në Serbi, ku opozita e cilëson atë si një skandal për të cilin përgjegjësinë e mban pushteti./rtk



Të tjera
Jeni e paharrueshme nëse keni këto karakteristika!
“735 milionë euro për import të energjisë për 4 vite” – U.d Ambasadorja amerikane me thirrje publike që Kosova të lidhet me projektet amerikane të gazit
Hoxha pret ambasadorin hungarez, diskutohen çështjet e sigurisë