Dëshmitari James Peter Covey, i cili ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, deklaroi të mërkurën në Hagë se Hashim Thaçi është njohur si drejtues politik.
Këtë deklaratë, Covey e dha kur iu prezantua një video, e cila tregonte për prezencën e Thaçit në Rahovec, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Njihej si drejtues politik”, tha Covey për Thaçin.
Fillimisht, dëshmitarit iu shfaq një video në të cilën një zë dëgjohej duke thënë se “Më mijëra janë mbledhur në qytezën e Rahovecit për të përshëndetur Thaçin”.
Në video, thuhej gjithashtu se Thaçi ftonte për tolerancë ndëretnike, por turma nuk ishte e gatshme ta dëgjonte thirrjen.
Sipas prokurores Vega Iodice, kjo ka ndodhur në korrik të 1999-ës por dëshmitari pyeti se a ka ndodhur më 17 korrik, gjë e cila iu pohua. Covey tha se kjo ka ndodhur dy ditë pasi kishte shkuar ai në Kosovë.
“Nuk më kujtohet mirë”, shtoi ai.
Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij u pyet se ka dëgjuar ndonjëherë për betejën e Llapushnikut. Lidhur me këtë, ai tha se nuk i kujtohet si ngjarje.
“Nuk më kujtohet mirë”, u përgjigj edhe kur u pyet se a ka dijeni për paradën e UÇK-së që është organizuar në Prishtinë më 18 shtator 1999.
Më pas, dëshmitarit Covey iu tregua një video lidhur me këtë paradë. Video ishte në gjuhën gjermane. Ai evidentoi Thaçin dhe Agim Çekun në videon që iu prezantua nga prokurorja.
“Më duket se zoti Thaçi. Më duket se pranë tij është edhe gjeneral Çeku”, tha Covey.



Të tjera
Ushqimet që shkaktojnë kapsllëk
Si ta kapërceni një ndarje? Përjetojeni fundin e një marrëdhënieje si një mundësi për veten tuaj
Disa probleme shëndetësore mund të dallohen nga sytë