Deputetja Drita Millaku largohet nga LVV-ja, Abdixhiku: Mirë se vjen në LDK

Deputetja Drita Millaku e cila ishte nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje sot ka ndërruar parti. Ajo i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Drita Millaku, mirë se vjen!

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet familjes sonë politike në rrugëtimin e përbashkët që na pret përpara. Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot”, shkruan ai.

“Si një figurë e respektuar në Prizren dhe një deputete e mandatuar për dy herë, ajo na vjen si aset i rëndësishëm partiak, dhe si kuadër për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Me Dritën kemi diskutuar gjatë për vizionin tonë të përbashkët për Republikën; për arsimin në veçanti, për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë.

Drita ka një pasion për librin, por edhe për të krijuar mundësi për të rinjtë dhe gratë në Kosovë. Ajo e kupton rëndësinë e bashkëpunimit dhe e sheh ndërtimin e një rrugëtimi të përbashkët si një mënyrë për të realizuar ndryshime të qëndrueshme, ato që sot LDK po i ofron. Besimi i saj në potencialin e Kosovës, së bashku me përkushtimin e saj për arsim janë motive që e bëjnë Dritën tejet të rëndësishme në këtë proces”, shkruan kryetari i LDK-së.

Tutje, Abdixhiku ka dhënë një biografi të shkurtër të Millakut.

Drita Millaku shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Prizren. Fakultetin Filologjik, Dega: “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” e kreu në Universitetin e Prishtinës ku edhe mori titullin, “Magjistër e Shkencave Filologjike”. Për një dekadë rresht punoi në bibliotekën e qytetit të Prizrenit. Në vitin 2013 ajo është zgjedhur asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Në vitin 2017, 2021, fitoi mandatin e deputetes si  grua më e votuar në Prizren.

Drita Millaku është e martuar me Fisnik Millakun dhe ka dy djem Longarin dhe Lumin.