Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë një pjesë të fjalimit të tij në mbledhjen e Kombeve të Bashkuara në New York, ku ka folur për pavarësinë e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm dhe si vend me një perspektivë të qartë evropiane.
Në postimin e tij në Facebook, Rama me ironi ka shkruar se “kështu flet një tradhtar i vërtetë i Kosovës”, duke thumbuar të gjithë ata të cilët në vazhdimësi e kanë kritikuar për raportin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai iu ka dërguar të fala të gjithë atyre në Kosovë që e kanë sharë me nënë e babë si “Vëllain e Vuçiqit”.
“Ja si flet një tradhëtar i vërtetë i Kosovës, i cili me këtë rast iu dërgon të fala vëllazërore krejt atyre që prej Kosove, e shajnë me nanë e me babë si “vëllaun e Vuqiqit”. Pjesë nga fjala në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar Rama.
Po çfarë tha kryeministri shqiptar në OKB para liderëve botërorë, e ku fokusi i takimit në OKB ishte lufta në Ukrainë?.
Në fjalimin para të pranishmëve, Rama i dha mbështetje Kosovës, kryeministri i Shqipërisë tha para qindra të pranishmëve se Kosova është një realitet i pakthyeshëm.
“Republika jonë simotër e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm si shtet, mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me një perspektivë të qartë evropiane dhe aleancë të padiskutueshme me komunitetin e madh demokratik të kombeve.
Çdo paralele e hequr artificialisht midis Kosovës dhe zonave të pushtuara të Ukrainës ka për synim të shpërqendrojë dhe të hetojë këdo që është e mundur në këtë ndërtesë dhe në të gjithë opinionin publik ndërkombëtar, por kurrë nuk mund t’ia dalin të zbehin të vërtetën që është: Kosova është tashmë një pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar.
Një anëtare aspirantë e komunitetit euro-atlantik e nuk duhet të mbahet peng nga askush me pretendime dhe justifikime të rreme, duke u nisur nga grupi i pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin vendin që i takon me të drejtë Kosovës, në çdo organizatë e forum ndërkombëtar”, tha tutje ai.
Të tjera
Në Drenas, sot rivarrosen viktima e luftës – ishin pjesë e Listës për Persona të Zhdukur
Vuçeviq: Druaj se Kosova, para Procesit të Berlinit, do t’i sulmojë institucionet tona të përkohshme
Ish-koloneli i FSK-së: Propozimet e presidentes për ushtrinë janë briliante