​Ekspertët: Nuk duhet dekurajuar nga deklarata e sekretarit Ruboi lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, duhet të mbetet synim i patjetërsueshëm ani se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi në kongres se kjo çështje aktualisht nuk është në agjendën e vendeve anëtare të Aleancës.

Janë njohësit e sigurisë, përfshirë edhe ish-zyrtarë ushtarakë që i thanë KosovaPressit se megjithëse rruga drejt NATO-s mbetet sfiduese për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga disa shtete anëtare dhe sfidat globale, anëtarësimi i vendit në Aleancën Veriatlantike nuk është i paarritshëm.

Ish-atasheu ushtarak i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Xhavit Gashi vlerëson se edhe vet fakti që çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO po diskutohet në nivele të larta në SHBA është një zhvillim pozitiv për perspektivën euroatlantike të vendit.

Siç thotë Gashi kjo deklaratë nuk e bënë të pamundur antarësimin e Kosovës në organizatën më të fuqishme ushtarake, por për shkak të zhvillimeve gjeopolitike kanë lëvizur edhe prioritetet.

“Ka shumë të mira, e para është e mirë që pra, anëtarësimi i Kosovës në NATO është temë e diskutimit në nivele të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, është shumë e rëndësishme edhe vizita që u bë nga delegacioni i kongresistëve amerikanë në Kosovë, pra e pati edhe pyetja vinte konkretisht nga pjesa e atij delegacioni… E mira tjetër e atij diskutimi është që nuk është që Kosova do të përjashtohet nga ai diskutim, pra, po në këtë moment, pra edhe e dimë me çdo gjë që po ndodh në botë, atëherë prioritetet lëvizin apo the shiftings in discussion nganjëherë kanë në diskutime ndryshime apo lëvizje të prioriteteve, por nuk do të thotë që Kosova nuk do të jetë asnjëherë pjesë e NATO-s. Edhe ne kemi shumë elemente që e përafrojmë, për ata janë edhe diskutimet në anën tjetër që Kosova është afër. Edhe me shumë elemente po, Kosova është afër anëtarësimit, por pastaj po, katër shtetet që nuk e njohin Kosovën pra që janë anëtare të NATO-s, e vështirësojnë pak anëtarësimin, por nuk e bëjnë të pamundur”, deklaroi ai.

Atasheu i parë ushtarak në ShBA, thekson se nuk mund të përcaktohen afate të menjëhershme për anëtarësimin në NATO, por është optimist se ky proces nuk është i largët.

Sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë të sillet dhe të kontribuojë sikur të ishte tashmë anëtare e Aleancës, duke ndjekur standardet dhe praktikat e saj.

“Afatet nuk mund të jenë të menjëhershme, pra nuk mund t’i caktoj as unë, as zyrtarët më të lartë të cilët janë kompetentë për të folur për këtë. Mirëpo prapë unë mendoj që nuk është aq i largët anëtarësimi i Kosovës në NATO. Unë mendoj që ne duhet të vazhdojmë të sillemi ashtu siç jemi duke u sjell, pra sikur me qenë anëtarë i NATO-s, sepse ju e dini, domethënë të gjithë e dimë sepse Kosova është duke bërë hapa edhe duke kontribuar si shtetet e tjera të NATO-s, ndoshta jo me kapacitete të njëjta”, theksoi ish-atasheu ushtarak.