FIFA e kënaqur me Botërorin 2026 të zgjeruar, ekipet e reja po dëshmojnë konkurrencë të fortë

Botërori 2026 me 48 kombëtare deri më tani nuk ka sjellë numrin e madh të ndeshjeve të njëanshme që shumëkush kishte parashikuar pas zgjerimit të turneut, tregojnë statistikat pas 24 ndeshjeve të para të garës.

Kur FIFA vendosi ta zgjerojë Kupën e Botës nga 32 në 48 përfaqësuese, pati zëra që paralajmëruan se përfshirja e më shumë skuadrave me rangim më të ulët do të ulte nivelin e garës dhe do të rriste numrin e humbjeve të thella.

Megjithatë, zhvillimet e deritanishme në turne nuk i mbështesin plotësisht këto pretendime.

Pas 24 ndeshjeve të para, diferenca totale e golave është 35, saktësisht e njëjtë me atë të regjistruar në të njëjtën fazë të Botërorit “Katar 2022”. Ndërkohë, numri i golave të shënuar është rritur nga 57 në 75.

Sigurisht që nuk kanë munguar rezultatet bindëse. Gjermania mposhti debutuesin Curaçao me rezultat 7-1, ndërsa Kanadaja triumfoi 6-0 ndaj Katarit. Haiti, në anën tjetër, u bë një nga ekipet e para të eliminuara pas vetëm dy ndeshjeve.

Megjithatë, disa prej përfaqësueseve më pak tradicionale kanë lënë përshtypje të jashtëzakonshme. Kepi i Gjelbër, kombëtarja e pestë me renditjen më të ulët në fillim të turneut dhe një nga shtetet më të vogla që ka siguruar ndonjëherë pjesëmarrjen në Kupën e Botës, arriti një barazim 0-0 ndaj kampiones së Evropës, Spanjës.

Po ashtu, Republika Demokratike e Kongos, e cila po merr pjesë për vetëm herë të dytë në një Botëror pas paraqitjes së vitit 1974 si Zaire, barazoi 1:1 kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldos.

Ndërkohë, Zelanda e Re, kombëtarja me renditjen më të ulët nga të gjitha pjesëmarrëset, mori një pikë të vlefshme pas barazimit 2-2 me Iranin.

Trajnerë, futbollistë dhe analistë e shohin këtë rritje të konkurrencës si rezultat të zhvillimit global të futbollit, pranisë gjithnjë e më të madhe të lojtarëve nga vendet më të vogla në ligat elitare, punës së trajnerëve më cilësorë dhe qasjes më të lehtë në metodat moderne të përgatitjes taktike e fizike.