Kosova pritet të jetë ndër vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë gjatë viteve të ardhshme, sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuara nga Euronews.
Sipas FMN-së, ekonomia e Kosovës pritet të rritet me rreth 4 për qind në vit në periudhën afatmesme, duke e renditur vendin ndër ekonomitë evropiane me performancën më të mirë.
“Kosova pritet të mbetet një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë, pavarësisht madhësisë së saj relativisht të vogël. Rritja ekonomike pritet të afrohet në rreth 4 për qind, e mbështetur nga konsumi i fuqishëm i familjeve, investimet publike, hyrjet financiare nga diaspora dhe fuqia punëtore e re. Zbatimi në kohë i Planit të Ri të Rritjes së Bashkimit Evropian mund të sjellë një shtysë shtesë për rritjen ekonomike dhe punësimin”, thuhet në raportin e FMN-së, të cilin e citon Euronews.
Tutje thuhet se faktorët që nxisin rritjen ekonomike të Kosovës janë të veçantë. “Paratë e dërguara nga një diasporë e madhe, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, financojnë si konsumin ashtu edhe investimet në biznese, ndërsa shpenzimet për infrastrukturën publike dhe zhvillimi i sektorit bankar i shtohen kësaj tabloje”, thuhet tutje në raport.
Ndërkaq, sipas këtij raporti, dobësia qëndron në faktin se rritja ekonomike udhëhiqet kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe shoqërohet me nivel të lartë importesh, ndërsa vendi ende nuk ka ndërtuar një bazë konkurruese eksporti.
Në analizën e Euronews, Kosova renditet ndër vendet evropiane me perspektivën më të mirë të rritjes, krahas Maltës, Ukrainës, Serbisë dhe Moldavisë. Ndërkohë, ekonomia e zonës euro pritet të rritet me rreth 1.2 për qind mesatarisht në vitet 2027–2031.




Të tjera
Belgjika shqyrton njohjen e Palestinës pas shpërbërjes së organit qeverisës të Gazës nga Hamasi
Kryeministri holandez: Shpresoj që Kosova të bëhet pjesë e familjes evropiane
Respekti i një talenti të ri për një ikonë të futbollit