Francesco Totti paralajmëron rikthimin nga pensionimi në moshën 48-vjeçare

Francesco Totti pretendon se është kontaktuar nga një numër klubesh nga Serie A teksa ka diskutuar mundësinë e rikthimit të tij nga pensionimi.

48-vjeçari i cili për herë të fundit luajti në vitin 2017, atëherë kur kishte bërë paraqitjen e tij të 786-të dhe të fundit për klubin e fëmijërisë AS Roma, është i hapur ndaj idesë për të luajtur sërish.

Në fakt, në një ngjarje të organizuar nga Betsson të hënën, Totti besohet se ka folur me një ton serioz të zërit rreth mundësisë për t’u rikthyer nga pensionimi.

“Ka pasur ekipe nga Serie A që më kanë telefonuar mua. E pranoj se ata më kanë bërë të mendoj paksa, pak çmenduri”.

“Do të ishte e vështirë, por në jetë kurrë nuk mund të thoni kurrë. Ka lojtarë të cilët kanë luajtur për shumë vite pas përfundimit të karrierës së tyre”, ka thënë Totti fillimisht.

“Gjithashtu varet se ku do të luani, me gjithë respektin, por nëse do të rikthehesha në Serie A do të duhej të stërvitesha mjaft mirë”.

“Duke marrë parasysh nivelin aktual të Serie A, unë me lehtësi do të kisha një ndikim në fushë”.

Në fund, legjenda italiane tha se do t’i duheshin vetëm dy ose tre muaj në mënyrë që ai të bëhet gati fizikisht t’i rikthehet fushës, teksa tregoi se do të refuzonte një ofertë nga rivalët e Romës.

“Lazio? As nuk do ta konsideroja. Unë do të isha i gatshëm për dy ose tre muaj. Unë ende po luaj në moshën 48-vjeçare. Gjysmë orë, njëzetë minuta. Nëse do të bëja diçka të çmendur, do ta bëja në Itali”, përfundoi legjenda italiane.