G-Bani me deklaratë të fortë: Jozi ishte ‘Luizi i BBVA 4’, Gjesti fitoi nga votat e dhënë në mënyrë raciste të Kosovës

Drama që la pas “Big Brother VIP Albania 4” duket se ende nuk ka marrë fund. Këtë herë, zjarrit i ka hedhur benzinë vetë G-Bani, i cili në një paraqitje të fundit në podcast ka rikthyer në vëmendje përplasjet e vjetra dhe ka bërë deklarata që po qarkullojnë gjerësisht në rrjet.

Teksa në bisedë po komentohej eksperienca e sezonit të kaluar në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, reperi foli me superlativa për Jozin, duke e krahasuar me një nga figurat më të mëdha që kanë dalë nga ky format. Por pjesa që ngjalli më shumë reagime ishte sulmi i drejtpërdrejtë ndaj Gjestit dhe mënyrës se si, sipas tij, u përcaktua rezultati nga votat e publikut.

Këto komente kanë ndezur debat në rrjetet sociale, jo vetëm për krahasimet mes banorëve, por sidomos për gjuhën dhe akuzat ndaj votave, që u interpretuan nga shumë ndjekës si tepër të ashpra dhe provokuese.

Kjo “revoltë” e G-Banit lidhet edhe me një prapaskenë që ndjekësit e formatit e mbajnë mend mirë: Gjesti ishte ai që, gjatë lojës, aktivizoi një “zarf të zi” që çoi në eliminimin e papritur të G-Banit dhe Jozit, duke ua ndërprerë rrugëtimin drejt finales.