Gjermania reagon ndaj vendimit të SHBA për tërheqjen e 5 mijë trupave

Gjermania reagon ndaj vendimit të SHBA për tërheqjen e 5 mijë trupave

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka deklaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të tërhequr një pjesë të trupave nga Evropa ishte i pritshëm dhe i parashikueshëm.

 

Sipas tij, evropianët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, duke theksuar nevojën për forcim të kapaciteteve mbrojtëse në kontinent, raporton RTSH sipas ‘Sky News’.

Pistorius bëri të ditur se Gjermania do të bashkëpunojë ngushtë me “Grupin e Pesëve”, ku bëjnë pjesë Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Polonia, në misionet e ardhshme të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Ishte e parashikueshme që SHBA do të tërhiqte trupat nga Evropa, përfshirë Gjermaninë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Pentagoni ka njoftuar planet për të tërhequr rreth 5,000 trupa amerikane nga territori gjerman, një vendim që pritet të zbatohet brenda një periudhe prej 6 deri në 12 muajsh.

Pavarësisht këtij zhvillimi, ministri gjerman theksoi se vendi i tij është “në rrugën e duhur” sa i përket forcimit të mbrojtjes, duke përmendur zgjerimin e Bundeswehrit, përshpejtimin e prokurimit të pajisjeve ushtarake dhe investimet në infrastrukturë.

Gjermania ka qenë për dekada një shtyllë kyçe e pranisë ushtarake amerikane në Evropë, duke shërbyer si qendër logjistike dhe operacionale për misionet e NATO-s dhe operacionet amerikane në rajone të ndryshme të botës.