Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, është pritur në takim nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, në rezidencën e këtij të fundit në Prishtinë, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, gjatë takimit është diskutuar për vizitën zyrtare të Gashit në Gjermani, me theks të veçantë në përvojat dhe praktikat e fituara, të cilat synojnë avancimin e sistemit prokurorial të Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Bashkëbiseduesit kanë vlerësuar edhe bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e partneritetit në fushat me interes të përbashkët, veçanërisht në shkëmbimin e përvojave profesionale, ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e proceseve reformuese në sistemin prokurorial.
Kryesuesi Gashi falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke theksuar se ky bashkëpunim ka një rol të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Nga ana e tij, ambasadori Rudolph rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin dhe fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ai vlerësoi angazhimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës në avancimin e reformave, ngritjen e standardeve profesionale dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke theksuar se partneriteti ndërmjet institucioneve të të dy vendeve mbetet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e një sistemi prokurorial efikas, të pavarur dhe në përputhje me standardet evropiane.



Të tjera
Befasohet Brazili, Japonia shënon gol
Jagxhiu: IA është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik
Deklarata e LDK-së: Rikonfirmohet mbështetja për Kryetarin e Kryesinë