Gjithçka e ka një fund! Jeta në Tokë është me ‘datë skadence’

Jeta në Tokë ka datë skadence. Afrimi i kësaj date varet nga kushte të ndryshme si: ekzistenca e ujit, përbërja kimike, temperatura, mjedisi etj.

Specie të ndryshme jetojnë në kushte të ndryshme, por të gjitha ato varen nga Dielli.

Pa të, ekzistenca e njerëzve, kafshëve dhe bimëve nuk do të ishte e mundur. Prandaj, fati i të gjitha krijesave është i lidhur me atë të Diellit. Kur Dielli të “vdesë”, Toka nuk do të jetë më planeti që të gjithë njohim. Oqeanet do të kenë avulluar dhe njerëzit do të jenë zhdukur.

Nuk e dimë nëse fundi do të jetë herët apo vonë. Ndoshta ndryshimi i klimës do të na çojë në një zhdukje të shpejtë, ose ndoshta do të arrijmë të mbijetojmë më gjatë si specie. Ajo që është e qartë është se do të vijë koha kur evolucioni i Diellit të ndryshojë kushtet që lejojnë jetën sot.

Sipas burimeve të konsultuara nga “Live Science”, vlerësohet se në rreth 1,3 miliardë vjet qenia njerëzore do të jetë tashmë e zhdukur, disa milionë vjet përpara se Dielli të “vdesë”.

“Toka ka ndoshta rreth 4,5 miliardë vite jetë përpara se Dielli të bëhet një yll gjigant i kuq dhe ta shkatërrojë plotësisht”, tha Ravi Kopparapu, një shkencëtar planetar në NASA.

“Përpara se të ndodhë kjo, rritja e temperaturave do të shkaktojë avullimin e oqeaneve dhe largimin e atmosferës. Në atë pikë, njerëzit nuk do të jenë në gjendje të mbijetojnë në Tokë për shkak të nxehtësisë dhe kushteve të lagështisë. Në rreth 2 miliardë vjet, oqeanet mund të avullojnë dhe shkëlqimi i Diellit do të jetë më shumë se 20% i asaj që është tani. Disa mikroorganizma mund të mbijetojnë më gjatë, por herët a vonë ata gjithashtu do të zhduken”, shtoi më tej shkencëtari.