Dhjetëra biznese të shitjes së naftës dhe disa importues të naftës në Kosovë janë cak e një operacioni të gjerë të bastisjeve, të cilat kanë filluar sot në disa zona të Kosovës.
Siç raporton KALLXO.com, hetimi për këtë rast është duke u drejtuar nga Prokuroria Speciale dhe implikon disa agjenci të sundimit të ligjit.
Burimet e mediumit në fjalë kanë sqaruar skemën, e cila dyshohet se i ka shkaktuar qindra mijëra euro dëme buxhetit të Republikës së Shqipërisë dhe ka ndërtuar një skemë të shpëlarjes së parave në Kosovë.
Sipas këtyre burimeve, ky grup kishte përdorur një skemë të njohur të kontrabandimit dhe shmangies së tatimeve të naftës teknike, e cila ishte përdorur edhe në kontrabandën e naftës në zonën veriore të Kosovës.
Nafta ishte importuar nga kompani nga Kosova dhe kishte kaluar transit në Republikën e Shqipërisë.
Shqipëria, sipas burimeve, ka taksa shumë më të larta për naftën, diku mes 20 deri në 40 centë më të shtrenjta se sa në Kosovë. Grupi, sipas burimeve, kishte zbarkuar naftën në Shqipëri, ku ajo ishte shitur në tregun e zi, ndërsa maunat ishin mbushur me ujë dhe ishin futur në Kosovë.
Maunat, sipas këtyre burimeve, kishin paguar doganën dhe akcizën, e cila është më e ulët në Kosovë, duke krijuar fitime prej 10 apo më shumë centësh për secilin litër të naftës që ishte zbarkuar në Shqipëri dhe në formë fiktive ishte importuar në Kosovë.
Rrjeti, sipas burimeve, ka arritur që tutje të krijojë fatura fiktive të shitjeve në pompat e derivateve dhe në biznese të tjera të vendit, të cilat kishin arritur t’i arsyetonin importet dhe çmimet e shitjes.
Skema, sipas burimeve, implikon edhe hetime të cilat zhvillohen në Shqipëri për rrjetin në fjalë.
Hulumtimet e mëhershme kishin dokumentuar se zona e veriut të Kosovës ishte përdorur për një skemë të ngjashme, ku për shkak të bllokadave dhe barrikadave, mauna të tëra të deklaruara si mauna me naftë ishin futur në Kosovë, ndërsa në realitet ato ishin të mbushura me ujë.
Hetimi, sipas burimeve të KALLXO.com, tani është fokusuar në shmangiet tatimore që bizneset në Kosovë kanë mundur t’i bëjnë për shkak të faturave fiktive.



Të tjera
Kurti: “Kosova është mirënjohëse për SHBA-në dhe aleancën e pazëvendësueshme!”
Kurti: Kosova falënderuese ndaj SHBA-së për ndihmën e pazëvendësueshme
Këto ushtrime duhet t’i bëni pas moshës 30-vjeçare