Haxhiu falënderon BIK-un: Ka ndihmuar mijëra familje në nevojë

Haxhiu falënderon BIK-un: Ka ndihmuar mijëra familje në nevojë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Haxhiu uroi Myftiun dhe besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste dhe vlerat që ajo përcjell në shoqëri.

“Unë sot po ashtu falënderova Bashkësinë Islame të Kosovës, falënderova Myftiun Tërnava për rolin pozitiv që kanë pasur në vazhdimësi në shoqërinë tonë, për ndikimin pozitiv për të luftuar dukuri negative me të cilat përballet shoqëria jonë, por gjithashtu edhe për ndihmën e qytetarëve në nevojë,” tha ajo.

Haxhiu shtoi se Kurban Bajrami kujton vlerat e sakrificës, solidaritetit, mirësisë dhe respektit, të cilat sipas saj duhet të mbeten themel i bashkimit shoqëror dhe institucional.

Ajo falënderoi Bashkësinë Islame për kontributin e saj në ndihmën ndaj familjeve në nevojë, duke theksuar se përmes Shoqatës “Bereqeti” janë ndihmuar mijëra familje.

Po ashtu, ajo vlerësoi thirrjen e Myftiut kundër gjuhës së urrejtjes, duke thënë se gjuha lënduese nuk ka vend në shoqërinë tonë.