Sot janë bërë 27 vjet nga masakra e Dubravës, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë që makineria serbe kishte përdorur kundër civilëve shqiptarë.
Me këtë rast, në Dubravë janë mbledhur krerët e shtetit, përfaqësues të partive politike, familjarë të viktimave dhe ish të burgosur politikë, për të përkujtuar të vrarët e kësaj masakre. Të gjithë ata që e vizituan këtë vend thanë se kjo masakër është kujtimi më i hidhur për shqiptarët.
Gjatë homazheve u theksua rëndësia e kujtesës dhe kërkesa për drejtësi për viktimat e masakrës së Dubravës, ku u vranë 116 civilë shqiptarë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar viktimat dhe ka folur për përgjegjësinë historike dhe institucionale të kësaj ngjarjeje.
“Në masakrën e Dubravës u vranë 116 shqiptar. Në Dubravë shteti serb veproi si aparat vrasës. I kishte të burgosurit në regjistra, në pavijonin në rreshta nën urdhra dhe të mbyllur, kjo është arsyeja pse Dubrava ka peshë të veçantë juridike dhe morale,” u shpreh Haxhiu.
Ajo theksoi se, sipas saj, krimi në Dubravë ka ndodhur për shkak të pranisë së strukturave shtetërore.
“Këtu krimi nuk ndodhi sepse shteti mungoi, ndodhi sepse shteti ishte i pranishëm në çdo hallkë, në komandë, në rojë, në mashtrim dhe në përpjekje për ta fshehur të vërtetën,” tha ajo.
Haxhiu shtoi se Masakra e Dubravës duhet të trajtohet si dëshmi e krimeve të kryera në Kosovë.
“Prandaj sot nuk mjafton ta përmendim Dubravën vetëm si datë por duhet ta kuptojmë si dëshmi për krimet monstruoze që Serbia i ka bërë në Kosovë kundër qytetarëve të pa mbrojtur shqiptar,” u shpreh ajo.
Ajo bëri thirrje që e vërteta për Dubravën të bëhet pjesë e kujtesës shtetërore.
“Gjithashtu edhe si dëshmi të detyrës sonë që emrat e të vrarëve, dëshmitë e të mbijetuarve dhe e vërteta e plotë e Dubravës të bëhet pjesë e ndërgjegjes shtetërore të Republikës së Kosovës,” tha Haxhiu.
Në fund, Haxhiu bëri thirrje për nderim dhe përgjegjësi institucionale.
“Lavdi të vrarëve në burgun e Dubravës, nderim të mbijetuarve dhe përgjegjësi e përhershme për Republikën që kujtesën ta kthejë në drejtësi,” përfundoi ajo.



Të tjera
E ardhmja e Haalandit në pikëpyetje
Guardiola zbulon mesazhin emocionues që mori nga Ferguson
Një veprim i shpejtë pas larjes mund të parandalojë formimin e mykut në lavatriçen tuaj