Haxhiu priti n`takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite

Haxhiu priti n`takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, priti sot në takim lamtumirës Ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Arabisë Saudite për Republikën e Kosovës, Faisal Ghazi Ismail Hifzi, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik, transmeton KosovaPost.

Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu e falënderoi Ambasadorin Hifzi për angazhimin dhe kontributin e tij në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, si dhe mbështetja e vazhdueshme që Arabia Saudite i ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite.

Palët riafirmuan përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë zhvillimin ekonomik, investimet dhe partneritetin ndërinstitucional.

Në përmbyllje, U.D. Presidentja Haxhiu i uroi Ambasadorit Hifzi suksese në angazhimet e tij të ardhshme diplomatike dhe profesionale.