Hovenier: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, themelore për demokracitë në SHBA dhe Kosovë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themelore për demokracitë si në Amerikë dhe Kosovë. Siç thekson ai, të tillat zgjedhje madje fuqizojnë qytetarët për të formësuar të ardhmen e tyre. ”Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themelore për demokracitë si Shtetet e Bashkuara dhe Kosova. Ato fuqizojnë qytetarët për të formësuar të ardhmen e tyre duke afirmuar vlera si liria, transparenca dhe përgjegjësia qytetare”. ”Me zgjedhjet, shoqëritë tona bëhen më të qëndrueshme, më të sigurta dhe më të prosperuara”. ”Ne e njohim që rruga demokratike nuk është pa sfida. Në Shtetet e Bashkuara, Aktet e të Drejtave Civile të viteve 1960 ishin vendimtare për të siguruar të drejta të plota votimi për të gjithë qytetarët. Kjo histori na kujton se demokracia nuk është statike – ajo rritet dhe evoluon ndërsa përballemi me papërsosmëritë”. Hovenier shton se pikërisht për këtë arsye jam është i kënaqur me aktivitetin zgjedhor me studentë dhe të rinj nga Kosova. ”Angazhimi qytetar i të rinjve është kritik për demokracitë. Duke bërë hapa përpara, duke pyetur dhe duke marrë pjesë në proceset demokratike, të rinjtë sjellin perspektiva të reja dhe energji të re për të adresuar sfidat e sotme”. ”Të rinjtë shpesh janë të parët që përqafojnë teknologjitë e reja dhe mjetet e komunikimit, gjë që mund të rrisë aksesin në informacion dhe të nxisë angazhimin qytetar më të gjerë”. ”Gjeneratat më të reja përballen gjithashtu me sfida të veçanta, dhe zgjedhjet janë një mundësi për të ndikuar se si këto çështje adresohen”. Tutje ambasadori tha se pjesëmarrja e të rinjve është thelbësore – jo vetëm për të formësuar politikat që prekin brezat e rinj, por edhe për të siguruar që demokracia vazhdon të evoluojë, përshtatet dhe lulëzon. ”Dhe kështu, jam i lumtur të jem këtu dhe të shoh entuziazmin e të gjithëve juve, që po na bashkoheni sot për të mësuar për këto procese”. Ai mbetet me shpresë që studentët dhe të rinjtë të mësojnë diçka të re sot për procesin zgjedhor në SHBA dhe të ndihen të frymëzuar nga pothuajse 250 vjet demokraci në SHBA për të cilën mbeten shumë krenarë.