Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim dypalësh me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias 2026, ku u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimin rajonal, përcjell KosovaPost.
Pas takimit, ministri Hoxha bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social “X” se bisedimet u përqendruan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut dhe projekteve konkrete të bashkëpunimit ekonomik.
“Diskutimi ynë u përqendrua në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit konkret, me synim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar rolin e tyre në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të stabilitetit rajonal”, u shpreh Hoxha.
Një nga temat e rëndësishme të takimit ishte edhe hapja e një përfaqësie konsullore shqiptare në Serbi, konkretisht në Bujanoc. Ministri shqiptar e vlerësoi pozitivisht gatishmërinë e palës serbe për këtë hap.
“Në këtë kuadër, mirëprita gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc”, deklaroi ai.
Hoxha theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal dhe nevojën për të shmangur retorikat e tensionuara, duke e konsideruar bashkëpunimin si rrugën kryesore drejt integrimit evropian.
“Nënvizova domosdoshmërinë për të ruajtur, thelluar dhe forcuar bashkëpunimin rajonal si rruga më e besueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët, duke lënë mënjanë retorikat e panevojshme dhe joproduktive”, u shpreh ministri.
Ai rikonfirmoi gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë mbi dialogun Kosovë–Serbi, duke e cilësuar atë si të vetmen rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Rikonfirmova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë mbi rëndësinë vendimtare të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke”, theksoi Hoxha.



Të tjera
Kurti në Barcelonë, me liderët progresistë: Aleancë globale për drejtësi, barazi dhe zhvillim të qëndrueshëm
Fillojeni ditën me një gotë ujë dhe mjaltë
Mojtaba Khamenei: Ushtria iraniane ka kundërshtuar plane të liga të Shteteve të Bashkuara