I arratisuri për vrasjen në Mitrovicë dyshohet se ka ikur drejt Turqisë

Mëngjesin e 20 shtatorit Mitrovica u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku një person mbeti i vrarë pasi u qëllua me armë zjarri, mu në qendër të qytetit. Ani pse ka kaluar një javë që nga akti kriminal, i dyshuari për vrasjen nuk është arrestuar ende.

Viktima Florim Zeqiri, fillimisht u plagos pasi drejt tij u shkrepën gjashtë plumba, ndërsa më pas humbi jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve të marra.

Personi i dyshuar për vrasjen është Valdrin Salihu, i cili menjëherë pas aktit ishte larguar me motoçikletë nga vendi i ngjarjes.

Më pas kjo ishte konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast Valdrin Salihu u shpall në kërkim si i dyshuar për veprën penale “Vrasje”.

Një ditë pas rastit, Policia bastisi shtëpinë e të dyshuarit Salihu, ku u gjetën dhe u sekuestruan; një pistoletë, tre karikatorë e 205 fishekë.

Mirëpo, një javë pas aktit kriminal, i dyshuari Valdrin Salihu ndodhet akoma në arrati.

Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, kanë bërë të ditur se ai është larguar nga Aeroporti i Shkupit drejt Turqisë.

“Sipas informacioneve që disponojmë, i dyshuari me iniciale V.S., ka udhëtuar nga Aeroporti i Shkupit në drejtim të Turqisë, për këtë arsye gjykata me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar letër rreshtim ndërkombëtar për të dyshuarin”, kanë thënë nga Prokuroria.