Komisioni Evropian i ka dhënë dritën jeshile Bullgarisë për t’u anëtarësuar në eurozonë më 1 janar 2026, duke shënuar hapin e dytë të rëndësishëm të shtetit brenda një viti në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
KE-ja, e cila u mblodh më 4 qershor për të marrë një vendim lidhur me këtë çështje, tha se Bullgaria i përmbush katër kriteret nominale të konvergjencës që përdoren për të vlerësuar nëse një vend është i gatshëm të adoptojë euron.
“Euroja është një simbol i prekshëm i forcës dhe unitetit evropian”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Banka Qendrore Evropiane pritet po ashtu që të publikojë mendimin e saj më 4 qershor, dhe zyrtarët bullgarë kanë thënë se presin një vlerësim pozitiv edhe nga ky institucion.
Këshilli i Bashkimit Evropian do të marrë vendimin përfundimtar për pranimin e Bullgarisë në eurozonë, duke u bazuar në opinionet e KE-së dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe në diskutimet me Eurogrupin dhe Këshillin Evropian.
Edhe pse pranimi i euros ishte një nga kushtet për anëtarësimin në BE, dështimet legjislative – përfshirë reformat për luftimin e pastrimit të parave, shqetësimet për inflacionin dhe bllokadat politike (Bullgaria ka mbajtur shtatë procese zgjedhore në katër vjetët e fundit) – e kanë bërë këtë rrugëtim të vështirë për Sofjen.
Një vendim në favor të adoptimit të euros është hapi i dytë i madh i Bullgarisë brenda një viti në rrugën e shtetit drejt integrimit në BE.
Në janar, Sofja u bë anëtare me të drejta të plota e zonës Shengen dhe kufijtë e Bullgarisë me Greqinë dhe Rumaninë tani janë plotësisht të hapur.



Të tjera
Nëse doni të humbni peshë, konsumoni këtë lëng në mëngjes
10 vese që shkatërrojnë veshkat
Si t’i rezistoni dëshirës për ëmbëlsira