Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, po qëndron për vizitë zyrtare në Sarajevë, me ftesë të Reisul-ulemasë së Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, Husein Kavazoviq, transmeton KosovaPost.
Siç njofton Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), gjatë kësaj vizite, në ambientet e Rijasetit në Sarajevë, Myftiu Tërnava u prit nga Reisul-ulema Kavazoviq, i cili e njohu atë me veprimtarinë institucionale të Bashkësisë Islame të BeH-së dhe sfidat me të cilat ajo përballet në përditshmëri.
Myftiu Tërnava vlerësoi lart rolin, kontributin dhe qëndrueshmërinë e Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe lidhjeve të ngushta ndërmjet dy bashkësive islame dhe popujve të tyre.
“Kemi përjetuar të njëjtin agresor, i cili synoi shfarosjen dhe dëbimin e popullit tonë për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare”, u shpreh ndër të tjera myftiu Tërnava.
Gjithashtu, në këtë takim, në shenjë respekti dhe solidariteti, myftiu Tërnava i dhuroi homologut të tij boshnjak librin shqip të imamit dhe të mbijetuarit të gjenocidit në Srebrenicë, Mevludin Hrnjic, “Dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë”, i cili u promovua këtë javë në Prishtinë, me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës.
Tërnava do të marrë pjesë nesër në manifestimet përkujtimore në Srebrenicë, për të nderuar viktimat e pafajshme të masakrës së korrikut 1995.
Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e përkujtimit dhe ruajtjes së kujtesës kolektive, duke rikujtuar se “masakrës së Srebrenicës, Gjykata Ndërkombëtare i ka dhënë statusin juridik të gjenocidit”.



Të tjera
Trump sheh një marrëveshje të mundshme me Iranin brenda “një jave”
Kajsitë të mira kundër kancerit
Goditi me shuplakë Robinho Jr, kërkon falje Neymar: E teprova me reagimin tim