Sëmundja e lisë së deleve dhe dhive është paraqitur në një fermë në Sazli të Ferizajt. Pronari i kësaj ferme thotë se, pasi ka vërejtur disa shenja klinike te delet, menjëherë ka njoftuar veterinerin.
“Sa i përket fermës, ne kemi që moti dhentë që i mbajmë. Por, fatkeqësisht kam blerë disa krerë në treg dhe ato kanë qenë të sëmura. Nuk kam pasur njohuri për këtë sëmundje dhe, në momentin kur i kam parë shenjat klinike te dhentë, e kam ftuar veterinerin. Ai e ka njoftuar AUV-in, të cilët kanë ardhur, kanë marrë disa mostra dhe i kanë çuar në laborator, ku është identifikuar se kjo është sëmundje e deleve”, tha Shpëtim Rushiti, fermer.
Sëmundja nuk bartet te njerëzit, por vetëm te kafshët, ndërsa asgjësimi i kafshëve pritet të bëhet nga përgjegjësit e kësaj fushe.
“Nuk është e dëmshme për njerëzit, por është e dëmshme për dhentë dhe është sëmundje bartëse te gjedhët e vegjël, te dhitë dhe delet. Të them të drejtën, momentalisht për vlerën që e ka caktuar AUV për kompensimin e deles, unë si fermer nuk jam i kënaqur. Mirëpo, për shkak të sëmundjes, duhet të pajtohemi, sepse është dëm që mund të u bëhet fermave të tjera nëse shpërndahet kjo sëmundje”, tha ai.
Për parandalimin e kësaj sëmundjeje te delet dhe dhitë, AUV po zbaton disa masa në rajonin e Ferizajt dhe të Gjilanit, përfshirë ndalimin e lëvizjes së kafshëve nga fermat drejt tregjeve, kufizimin e shitblerjes dhe masa të tjera./rtk



Të tjera
Parandalohet kontrabandimi i 150 shpezëve me furgonin që dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga Serbia
Bayern eliminon Real dhe kalon në gjysmëfinale të Champions League
Tri arsye të rëndësishme përse bebes nuk i duhet rrethorja për ecje