Konjufca kërkon mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin e Kosovës në BE

Konjufca kërkon mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin e Kosovës në BE

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar mbështetjen e Irlandës në pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se këtë kërkesë e pati gjatë një takimi me Ministren për Punë të Jashtme dhe Tregti Helen McEntee, transmeton Klankosova.tv.

“Në vizitën time të parë bilaterale në Irlandë pata kënaqësinë të takohem me Ministren për Punë të Jashtme dhe Tregti znj. Helen McEntee, me të cilën diskutuam për marrëdhëniet ndermjet Republikës së Kosovës dhe Irlandës, miqësinë mes popujve tanë dhe shumë vlera të përbashkëta që ndajmë. Ishte vlerësim i përbashkët që raportet tona duhet të zgjerohen dhe intensifikohen në shumë drejtime dhe fusha”.

“Po ashtu, duke qenë se Irlanda do të marrë drejtimin e presidencës së Bashkimit Europian, kërkuam mbështetjen e tyre në pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. U dakorduam që Kosova nuk mund të veçohet nga procesi dhe përcaktimi i antarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”, shkroi Konjufca.

Në Irlandë, kryediplomati në detyrë i Kosovës tha se zhvilloi edhe takime me zyrtarë të tjerë.

“Gjatë vizitës u takova gjithashtu me anëtarë të Komitetit të Përbashkët për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamentit irlandez dhe me Senatorin Pat Casey, takime të cilat riafirmuan mbështetjen parlamentare të Irlandës për rrugën evropiane të Kosovës”.