Kryeministri Kurti, në takim me Sorensenin

Kryeministri Kurti, në takim me Sorensenin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është duke zhvilluar një takim me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Deri në momentin e publikimit të lajimit Qeveria e Kosovës nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për takimin, por burime të KOHËS kanë thënë se takimi është duke u zhvilluar.

Vizita e Sorensenit në Prishtinë po zhvillohet pasi ai vizitoi Beogradin më 9 prill, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Qëllimi i takimit me Vuçiqin, mes tjerash, sipas Sorensenit, ishte avancimi i diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

E njohësi i çështjeve politike, Artan Alija e vlerëson si të pakuptimitë tentimin e BE-së për organizimin e një rundi të ri bisedimesh Kosovë-Serbi, pa u zbardhur rasti i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Sipas tij, BE-ja po mundohet të improvizojë me negociatat por pa ofruar një zgjidhje të përhershme.

Kësisoj thekson se Qeveria duhet të mbajë qëndrimin e mëparshëm që të mos ketë dialog pa dorëzimin e kryesve të sulmit në Banjskë.

“Nuk do të ketë dialog pa dorëzimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për të dy këto sulme makabre ndaj shtetit tonë, nuk duhet të ketë dialog. Në anën tjetër duhet të kemi kujdes që të mos duket ndërkombëtarisht Kosova si pala që po bllokon ndonjë dialog”.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuciqit është mbajtur në shtator të 2023-tës, disa ditë para sulmit terrorist në Banjskë.

Sorensen herën e fundit në Kosovë qe një muaj më parë, kur bashkë me kryeministrin Kurti arritën dakoordimin për zbatimin e Ligjit për të huajt.

Këtë, shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Kaja Kallas, e pati vlerësuar si moment të ri në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe pati shprehur gatishmërinë që së shpejti ta organizojë një takim të nivelit të lartë mes palëve.

Për harmonizim për hapat e ardhshëm në dialog, Sorensen muajin e kaluar pati zhvilluar takime edhe me zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan.