Juristi Kadri Kryeziu, në një reagim publik, ka bërë paralele mes ngjarjeve të vitit 1981 e 1989 dhe situatës aktuale pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se atëherë disa shqiptarë ishin rreshtuar pas narrativës jugosllave, duke mashtruar popullin, gjë që çoi në tragjedi dhe luftë.
Kryeziu u shpreh se ende nuk dihet përmbajtja e aktgjykimit të plotë, por shpreson që gjyqtarët shqiptarë kanë menduar për mbrojtjen e shtetit.
“Durim, qetësi dhe vigjilencë”, apeloi ai, duke shtuar se nuk dëshiron të besojë se edhe sot ka shqiptarë që veprojnë njësoj si atëherë.
Shkrimi i plotë:
Në vitin 1981, si student protestues, dhunën dhe presionin më të madh nuk i përjetova nga serbët, por nga disa shqiptarë të dhënë me mish, gjak e shpirt pas vëllazërim-bashkimit jugosllav. Ishte e rëndë, por dhunën serbe e kam përjetuar vetëm kur më transferuan në burgjet jashtë Kosovës. Nuk deshi shumë dhe doli në shesh e vërteta: ne kishim të drejtë, ndërsa vëllazërim-bashkimi ishte një përrallë për ta mashtruar popullin tonë.
Në vitin 1989, përsëri po i njëjti soj u ngrit në këmbë, nuk la gur pa rrotulluar për ta bindur popullin se “asgjë e keqe nuk do të ndodhte” sepse Serbia “ishte në të drejtën e saj”. Po njësoj si sot, thoshin: “Mos i besoni interpretimeve manipuluese.” Dhe kjo na çoi në katastrofë dhe luftë.
Sot nuk e dimë ende çfarë shkruan në aktgjykimin e plotë. Nuk e dimë nëse Gjykata ka vendosur mekanizma mbrojtës për integritetin funksional të shtetit. Nuk dua të besoj se e kanë lënë Republikën në dorë të komunitetit serb. Prandaj lus për durim, qetësi dhe vigjilencë derisa ta shohim tekstin integral. Dua të besoj se Nexhmi Rexhepi dhe gjyqtarët tjerë shqiptarë kanë menduar për këtë shtet. Dua ta besoj dhe do të mbahem fort pas këtij besimi – deri në çastin e fundit, kur teksti i plotë i Aktgjykimit të më bindë për ndryshe.
DURIM, QETËSI DHE VIGJILENCË



Të tjera
Duhet apo jo ta ruash bukën në frigorifer?
Ushqimet që shkaktojnë kapsllëk
Si ta kapërceni një ndarje? Përjetojeni fundin e një marrëdhënieje si një mundësi për veten tuaj