Kurban Bajrami do të falet të mërkurën, më 27 maj 2026, në orën 05:40 në të gjitha xhamitë e Kosovës.
Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se kjo është data zyrtare e festës, duke njoftuar besimtarët për organizimin e riteve fetare dhe manifestimit qendror në Prishtinë.
“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton besimtarët dhe opinion e gjerë se dita e parë e festës së Kurban Bajramit, është ditën e mërkurë, më 27 maj 2026.Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.Manifestimi fillon në orën 4:25, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë Arbnor ef. Sinani – kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Skenderaj”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.
“Namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:40, të cilit do t’i prijë Mustafë ef. Dallku, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava”, ka njoftuar BIK-u.
Me rastin e festës, Bashkësia Islame e Kosovës do të organizojë edhe pritje tradicionale në selinë e saj në Prishtinë nga ora 09:00 deri në 12:00, ku pritet të marrin pjesë besimtarë dhe përfaqësues institucionalë.
“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban Bajramit, duke e lutur Zotin që të na pranoj haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet tona. Me fat festa e Kurban – Bajramit!”.



Të tjera
Kurti në takim me Odën Kosovaro-Turke
Spanja zyrtarizon skuadrën e botërorit: Tetë të Barçës, asnjë i Realit
Të flini në anën e majtë ju bën mirë për shëndetin